Shtiu me armë në drejtim të policisë, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë

Një 34-vjeçar dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të policisë në Tiranë.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar, ndërsa si provë materiale është sekuestruar arma e zjarrit me municion.

“Shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Tiranë pasi kanë marrë informacion për një shtetas i cili mbante armë zjarri në subjektin e tij kanë organizuar punën me qëllim kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Gjatë ndalimit të shërbimeve të Policisë në subjektin e tij privat në Rinas, shtetasi i identifikuar me inicialet K. B, ka qëlluar në drejtim të Policisë nga brenda subjektit të tij. Nga të shtënat nuk ka patur të lënduar. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin e tij dhe shoqërimin për në ambientet e DVP Tiranë”, njofton policia.

“Në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë bërë arrestimin e shtetasit K. B., 34 vjeç, banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”.