Shtimja e çliruar: Kompania e nipit të kandidatit të VV-së fiton 88 tenderë gjatë mandatit të Qemajl Aliut

“Në qeverisjen time, lufta e parë që do të bëj do të jetë lufta kundër lakmisë”, ky ishte premtimi i Ruzhdi Jasharit të Vetëvendosjes kur kandidoi për kryetar të Komunës së Shtimes në vitin 2017.

Kryetar nuk u bë, por partisë me të cilën kandidoi ia pa hairin familja e tij sapo Vetëvendosje erdhi në pushtet në Shtime, katër vjet më vonë.

Kryetari Qemajl Aliu të cilit, Rudzhi Jashari, ia bëri edhe fushatën, ia përmbushi lakminë nipit të këtij të fundit, Dashnim Jasharit, që kur erdhi në krye të Shtimes. Që nga 28 prilli i 2022, katër muaj pasi Aliu u betua si kryetar i Shtimes, kompania “Ardhmëria”, e cila është në pronësi të Dashnim Jasharit, përfitoi 88 tenderë nga kjo komunë.

Nga llogaritja e vlerave të këtyre kontratave, rezultoi se për më pak se 4 vjet, kjo kompani përfitoi nga buxheti i Shtimes, mbi 7.2 milionë euro, apo saktësisht 7 milionë e 203 mijë e 643 euro e 9 centë.

Nga 88 tenderët që i fitoi kompania e Dashnim Jasharit, sipas të dhënave të sistemit online të prokurimit, i ka përfunduar vetëm 5 prej tyre. Të gjithë të tjerat figurojnë ende në realizim.

Vetëm gjatë shtatorit të 2025-ës, kompania “Ardhmëria” me emër të biznesit Dashnim Jashari B.I., përfitoi 14 kontrata, të gjitha nga Komuna e Shtimes, në vlerë të mbi 1 milion eurove.

Tri kontrata kjo kompani i nënshkroi me komunën e Qemajl Aliut më 3 shtator të 2025-ës, një javë më vonë dy të tjera. E më 12 shtator, Komuna e Shtimes ia dha kësaj kompanie katër tender brenda ditës. Dy tenderë, kompania “Ardhmëria” i nënshkroi më 15 shtator, e dy të tjerë më 17 shtator. Ndërkaq, kontrata e fundit për muajin shtator mes Komunës së Shtimes dhe biznesit të Dashnim Jasharit u firmos më 18 shtator.

Kontratat kishin të bënin me asfaltim dhe rregullim të rrugëve, trotuareve, ndërtim e rrethim të sallave sportive, ndriçim publik, kanalizim, ndërtim të parqeve e rrënim të objekteve.

Por, Komuna e Shtimes nuk është punëdhënësi i vetëm i kësaj kompanie.