Instituti GAP ka publikuar raportin për nivelin e përmbushjes së premtimeve zgjedhore për mandatin 2021-2025 që dhanë kryetarët e komunave në zgjedhjet e fundit lokale, shkruan Demokracia.com
Në bazë të raportit të tyre, kryetarët kanë dhënë 1815 premtime zgjedhore në fushatën elektorale të vitit 2021, ndërkaq tash pas katër viteve kanë zbatuar vetëm 918 sosh. Sipas GAP, 234 premtime janë gjysmë të përmbushura, 218 premtime që kanë filluar të realizohen, kurse 382 premtime nuk janë realizuar fare.
Mandati i parë i Qemajl Aliut, ose si e patë quajtur ai vetën në fillim të mandatit, si “Çlirimtari i Shtimes”, duket më shumë si një luftë me letër sesa me sfidat reale të komunës.
Nga 107 premtime, vetëm rreth 30% janë realizuar, ndërsa pjesa tjetër duket se është futur në “planin sekret të çlirimit” që ende nuk është zbuluar.
Demorkacia.com ka nxjerrë të dhënat e publikuar nga GAP për realizmin e premtimeve të Komunës së Shtimës 2021-2025.
Aty shihet se ai ka ka pasur të listuara 107 premtime në total:
Në administratë, qytetarët tani marrin informacion në kohë për mbledhjet e Kuvendit dhe vendimet e ekzekutivit, por ndërtimi i objektit të ri të administratës dhe publikimi i disa të dhënave të tjera thelbësore mbeten gjysmë të përmbushura.
Arsimi duket se ka marrë një shtysë, me çerdhe funksionale dhe shujta për nxënës, por bibliotekat online dhe disa programe pagash për mësuesit e pensionuar ende nuk kanë parë dritën e ditës. Kabinetet shkollore dhe laptopët e projektorët mbeten gjysmë të përmbushur – me pak fjalë, nxënësit ende presin mësim më modern.
Në bujqësi, disa premtime janë përmbushur plotësisht: subvencionet dhe ndihma profesionale për fermerët janë një pikë e fortë, por sistemi i ujitjes dhe disa projekte digjitalizimi ende ngelen në letër.
Ekonomia dhe nisma për biznesin duket se kanë përparuar pjesërisht: zona ekonomike dhe panairet funksionojnë, por disa premtime për investime të diasporës dhe mbështetje të grave në biznes mbeten në pritje.
Sa i përket infrastrukturës, sheshi dhe asfaltimi i rrugëve janë përfunduar, por autostrada dhe unazat e qytetit ende nuk janë ngritur.
Në kulturë dhe sport, disa projekte janë realizuar, si kurset e gjuhëve të huaja dhe funksionalizimi i pallatit të sportit, por stadiumi dhe klube të tjera sportive presin investime të mëtejshme.
Shëndetësia ka arritur disa përparime: laboratorët dhe furnizimi me barna funksionojnë, por ndërtimi i objekteve të reja dhe rritja e kapaciteteve të specializimit janë ende në proces.
Ndërsa shërbimet publike, trotuaret, rrjetet e kanalizimeve dhe parkimet janë duke u realizuar, disa projekte të mëdha, si impiantet për pastrimin e ujërave dhe sistemi i taksave për parkingje, nuk kanë filluar ende.
Në sociale, premtimi për heqjen e pagesës për mbeturinat për rastet sociale mbetet në letër.
Pra, qytetarët e Shtimes mund të shohin rezultate konkrete në disa fusha, por një pjesë e madhe e premtimeve të bëra nga kryetari Aliu janë ende në gjysmë apo nuk kanë nisur fare. /Demokracia.com/
Të gjeturat e GAP:
https://komunat.institutigap.org/promises/127