Shtimja akuzohet se kufizoi konkurrencën me kushte të pazakonshme në tenderin e urave

Në Organin Shqyrtues të Prokurimit është dorëzuar një ankesë nga kompania “Arching Group” Shpk, e cila pretendon se Komuna e Shtimes ka vendosur kritere diskriminuese dhe favorizuese në dosjen e tenderit për ndërtimin e urave në Shtime, Godanc dhe Pjetershticë, shkruan Demokracia.com.

Kompania ankuese i referohet nenit 7 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), ku theksohet se autoritetet kontraktuese nuk guxojnë të “ekzekutojnë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton apo eliminon konkurrencën ose që diskriminon në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomikë”.

ankesën e saj, kompania e cilëson si të pajustifikuara dhe diskriminuese disa nga specifikimet teknike të kërkuara në tender.

Paisjet e rënda me regjistrim

Sipas pretendimit nr. 1, Komuna e Shtimes ka kërkuar që disa paisje të rënda të jenë të regjistruara dhe të dëshmuara me libreza, përfshirë kamionë kiper, eskavatorë me goma, makinë vetëshkarkuese (damper), si dhe lugë ngarkuese.

“Kërkesat e vendosura në DT janë kërkesa diskriminuese dhe favorizuese për operatorë ekonomikë të caktuar, duke e zvogëluar konkurrencën dhe duke pamundësuar konkurrencën e lirë në këtë aktivitet”, thuhet në ankesë.

Sipas kompanisë, kërkesa që këto mjete të jenë të regjistruara nuk është as e nevojshme për natyrën e punimeve, pasi makineritë operojnë brenda një vendpunishteje të rrethuar, ku nuk kanë qasje palët e treta.

“Kjo sjellë favorizim të drejtpërdrejtë për një kategori shumë të kufizuar operatorësh që posedojnë këtë lloj makinerie specifike, duke cenuar parimin e barazisë në trajtim dhe konkurrencës së ndershme”, thekson më tej ankesa.

Kompania kujton se në tenderë të tjerë në Kosovë, për punime edhe më të mëdha si rrugë regjionale, magjistrale apo autostrada, nuk është kërkuar ndonjëherë që makineritë të jenë të regjistruara.

Pajisjet pa lidhje me projektin

pretendimin nr. 2 dhe nr. 3, kompania kundërshton kërkesën për mjete dhe makineri të veçanta, të cilat sipas saj nuk kanë asnjë lidhje me projektin në fjalë.

Në tender është kërkuar:

  • Makina hidraulike speciale për vendosjen dhe nivelizimin e pusetave 540 bar, si dhe

  • Gjysmërimorkio speciale me sistem hidraulik për tërheqjen e kabllove nëntokësor dhe ajror.

Kërkesat e tilla nuk janë në harmoni me paramasën e punëve dhe natyrën e kontratës. Për këtë arsye këto paisje duhet të hiqen nga dosja e tenderit, pasi nuk kanë lidhje me punimet e parapara”, theksohet në ankesë.

Sipas “Arching Group”, autoriteti kontraktues nuk ka dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesave për sqarim mbi arsyeshmërinë e këtyre specifikimeve.

Vendimi paraprak i OSHP-së për rast të ngjashëm

Kompania i referohet edhe një vendimi të mëhershëm të OSHP-së, me nr. 2024/108 të datës 14/01/2025, ku ky institucion kishte vendosur për një çështje të ngjashme, duke konstatuar se kërkesat për makineri të regjistruara nuk janë të justifikuara dhe cenojnë konkurrencën e lirë.

“Me kërkesën për regjistrim të bagerëve dhe dumperëve, me këtë përshkrim teknik të ngushtë, Autoriteti Kontraktues ka eliminuar nga gara shumë operatorë ekonomikë që posedojnë mjete të tjera të përshtatshme dhe funksionale, por që nuk i kanë të regjistruara. Një kërkesë e tillë asnjëherë nuk ka qenë praktikë në Kosovë dhe nuk kërkohet në qindra dosje tjera të tenderëve të shpallur nga autoritete të ndryshme kontraktuese për punë të së njëjtës natyrë. Në Kosovë ka me qindra operatorë që posedojnë pajisje identike të cilat përdoren çdo ditë në projekte të ndryshme publike, dhe asnjëherë nuk është kërkuar regjistrimi i tyre. Madje, kemi raste konkrete kur janë ndërtuar edhe rrugë shumë më specifike – rrugë regjionale, magjistrale dhe autostrada – pa qenë e nevojshme që këto mjete të jenë të regjistruara. Një kriter i tillë sjell favorizim të drejtpërdrejtë për një numër shumë të kufizuar operatorësh që posedojnë këtë lloj makinerie të regjistruar, duke cenuar kështu parimin e barazisë në trajtim dhe konkurrencës së ndershme. Për më tepër, ne po bashkëngjesim vendimin e OSHP-së nr. 2024/108, të datës 14.01.2025, ku për të njëjtën çështje është vendosur qartë nga ky organ. Besojmë se Autoriteti Kontraktues është i obliguar ta zbatojë këtë vendim, pasi për pretendime të njëjta OSHP ka vendosur tashmë”.

Sipas kompanisë, më e çuditshmja në këtë rast është fakti se, sipas specifikimeve teknike të dosjes, në një vendpunishte mund të operojnë një cilindër dhe një bager në të njëjtën kohë, ku njëri kërkohet të jetë i regjistruar e tjetri jo – ndonëse të dyja janë mjete të rënda ndërtimi.

Në fund, kompania i kërkon OSHP-së që ta aprovojë si të bazuar këtë ankesë dhe të obligojë Komunën e Shtimes që të heqë kriteret e cilësuara si diskriminuese e favorizuese. /Demokracia.com/