Shteti shkel mbi djersën e ushtarëve të FSK-së, nuk ua ka paguar shtesat për 25 muaj

Përkundër punës dhe kryerjes së detyrave nga ana e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në shërbim të vendit, shteti ka dështuar të sigurojë mjetet e nevojshme për kompensimin e drejtë dhe të merituar për punën e tyre jashtë orarit, kujdestaritë dhe shërbimet gjatë natës.

Ata nuk po kompensohen për punën e tyre dhe borxhi i shtetit ndaj tyre vetëm po rritet, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Nga Ministria e Mbrojtjes kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se pjesëtarët e FSK-së nuk janë kompensuar për 11 muaj të vitit 2023, për 7 muaj të vitit 2024, si dhe deri tani vetëm për muajin janar të vitit 2025, ndonëse janë angazhuar me përkushtim në detyra që kërkojnë sakrificë personale dhe profesionale.


“Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat e Sektorit Publik dhe Rregullores (QRK) Nr. 07/2023 për Kompensim për Kujdestari, Punën gjatë Natës dhe Punën Jashtë Orarit të Punës, pjesëtarët e FSK-së nga muaji janar deri në maj të vitit 2024 (për 5 muaj) janë kompensuar për të gjithë pjesëtarët e FSK-së që kanë qenë të angazhuar në shërbimet e kujdestarisë, punës gjatë natës dhe punës jashtë orarit. Ndërsa për vitin 2025, pjesëtarët e FSK-së që janë angazhuar në shërbimet e kujdestarisë, punës gjatë natës dhe punës jashtë orarit janë kompensuar vetëm për muajin Janar 2025. Për vitin 2024 mbeten obligime të papaguara për 7 muaj (qershor–dhjetor), për shërbimet e kujdestarisë, punës gjatë natës dhe punës jashtë orarit. Për vitin 2023, obligime të papaguara për 11 muaj (shkurt–dhjetor), për shërbimet e kujdestarisë, punës gjatë natës dhe punës jashtë orarit.”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Nga Ministria e Mbrojtjes kanë thënë se kërkesat e tyre për buxhet shtesë i kanë paraqitur gjithmonë sipas nevojave dhe planifikimit, dhe i kanë përcjellë në MFPT.

“Megjithatë, kërkesat tona për buxhet shtesë për shtesa dhe kompensime nuk janë përfshirë në Ligjin e Buxhetit Vjetor, dhe ne si Ministri e Mbrojtjes, nuk kemi pasur mjete të mjaftueshme për të përmbushur obligimet e lartcekura te kompensimeve për shërbimet e kujdestarisë, punës gjatë natës dhe punës jashtë orarit.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes./Reporteri.net/