“Pesë djem i kam në Zvicër, në Aarburg. Po me një djalë që jetoj, këtë e kam punësu këtu, i kam ba dicka, punon këtu. Ata punojnë atje. Këto shpija ia kam ba, edhe ia kam citë secilit përmi veti, që mos me më thanë asnjani: këtij ma mirë, këtij ma keq, kjo dy kat, kjo tre. Jo, po ia kam ba njisoj krejtëve”.
Këto janë fjalët e një plaku nga Kosova, të cilat e shpjegojnë më së miri temën e filmit “Në mes” të Samir Karahodës, që mbrëmë në DokuFest erdhi si shfaqje speciale, shkruan albinfo.ch.
Dokumentari 13 minutësh tregon se si vëllëzërit dhe bijtë që jetojnë jashtë vendit, ndërtojnë shtëpi të njejta me vëllëzërit në Kosovë, për të shprehur kështu barazinë dhe unitetin në familje.
Por shtëpitë e mërgimtarëve në Kosovë japin edhe një mesazh tjetër: shpresën e prindërve që fëmijët e tyre një ditë do të kthehen aty ku i kanë rrënjët. Ndërsa shtëpitë e mëdha lidhen me një traditë të kahmotshme shqiptare: mikpritjen. Shqiptarët kujdesen që në shtëpitë e tyre të sigurojnë vend edhe për mysafirët.
Përmes disa rrëfimeve, filmi prek temën e emigrimit dhe shtron pyetjen se a do të kthehen në atdhe mërgimtarët.
Jo rastësisht, filmi përmbyllet me një skenë dasme në krahinën e Hasit. “Mas nëntë viteve jena ba së bashku në Kosovë. Neve vetëm dasma apo vdekja na bashkon në këtë vend. Përndryshe, punojmë, jetojmë, veprojmë jashtë”, thotë njëri nga personazhet.
Pamje nga filmi “Në mes”
Pas shfaqjes së filmit, në skenë dolën një pjesë e ekipit, përfshirë edhe disa nga personazhet e filmit. Duartrokitjet e gjata dhe brohorimat nga publiku, lanë të kuptohej se audienca ishte ndarë e kënaqur nga ky film. Disa nga pjesëmarrësit në film, të cilët kishin ardhur nga diaspora vetëm për këtë premierë, u ndanë të kënaqur nga kjo përvojë.
Nga publiku, gazetarja Leonora Aliu pyeti se pse nuk kishte gra në këtë film, teksa regjisori tha se nuk ka qenë me ndonjë qëllim, por ishin burrat ata që ia kanë hapur derën dhe e kishin mirëpritur sa herë që i kishte vizituar. Sipas Aliut, kjo shpërfaqë një traditë patriarkale te shqiptarët, sipas së cilës gratë nuk duhet të flasin.
“Filmi do të duhej të përdorej si medium për të kontribouar në ndryshimin e nevojshëm dhe luftimin e konstrukteve të dëmshme sociale. Filmi ‘Në mes’, e paraqet një realitet të hidhur të shoqërisë tonë, dhe vetë përgjigja e regjisorit na tregon se i vetmi rol që iu jepet grave në traditën tonë familjare është ai riprodhues dhe mirëmbajtës. Kjo është e dhimbshme”, tha ajo për albinfo.ch pas shfaqjes së filmit, duke potencuar edhe faktin se filmi po ashtu tregon që shoqëria kosovare ende nuk e konsideron gruan si trashëgimtare të pronës familjare.
Në një prononcim për albinfo.ch, regjisori Samir Karahoda ka thënë se filmi “Në mes” erdhi si rezultat i një projekti fotografik, që ai kishte realizuar vite më parë. Gjatë shkrepjes së fotografive, nga bisedat me pronarët e shtëpive, atij i kishte lënë përshtypje “tradita” e të ndërtuarit shtëpi të njejta mes vëllëzërve në Kosovë dhe diasporë. Kështu lindi ideja për filmin “Në mes”.
Karahoda ka theksuar se ky film nuk do të ishte i mundshëm pa tregimet e familjarëve, për të cilët ka shprehur mirënjohje që ia hapën derën dhe ia besuan rrëfimet. Madje ai ka thënë se njëra nga familjet ka qenë e gatshme ta përkrahë edhe financiarisht filmin.
Qëllimi i regjisorit ka qenë edhe të ngjallë debat, sidomos për prindërit që mbesin në pritje të fëmijëve të tyre.
“Këtë film mirë do të ishte ta shihnin edhe udhëheqësit tanë, sepse duhet të hysh në trup të atyre prindërve edhe ta kuptosh se sa e rëndë është t’i rrishësh fëmijët dhe të jetosh vetëm. E këtë nuk po mund ta kuptojnë ndoshta shumica e politikanëve apo udhëheqësve”, ka thënë Karahoda.
Rikujtojmë se filmi “Në mes”, prodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës, është filmi i parë nga Kosova në Berlinale. Po ashtu, ky film ka përfaqësuar Kosovën edhe në festivale të tjera ndërkombëtare, si në Finlandë e Sllovaki, e javën tjetër pritet të shfaqet edhe në Sarajevë.
Po ashtu, për këtë film ka shprehur interesim një television, për ta shfaqur në Gjermani dhe Zvicër.
Përndryshe, diaspora vazhdon të mbetet inspirim për filmat e Karahodës. Regjisori ka njoftuar se është duke punuar në një projekt të ri. Ai ka thënë për albinfo.ch se filmi i ardhshëm ka për temë një emigrant që kthehet në Kosovë pasluftës me entuziasmin që ta ndihmojë vendin.
“Diaspora janë shtylla e vendit, pa marrë parasysh a janë këtu ose jo, po për mua ata janë shtylla kryesore, ndoshta shtyllë më e madhe se industria që është në Kosovë për momentin”, ka thënë për fund Karahoda.