Shtëpi 950 mijë euro dhe Mercedes 35 mijë euro, kjo është pasuria e Shefit të Stafit të Kurtit

Deklarimin e pasurisë e ka bërë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit edhe Shefi i Stafit të Albin Kurtit, Luan Dalipi. Pasuri të paluajtshme, Dalipi ka deklaruar në vlerë 1 milion e 69 mijë e 200 euro.

Shefi i stafit të Kurtit, Luan Dalipi ka një shtëpi në vlerë 950 mijë euro me 360m2 e cila raportohet të jetë blerë nga të hyrat nga biznesi dhe bashkëfinancim nga prindërit. Ai ka deklaruar edhe një banesë 112m2 të trashëguar nga prindërit në vlerë 110 mijë euro. Depo në vlerë 6 mijë euro, si dhe një garazhë 3 mijë e 200 euro.

Si pasuri të luajtshme, Dalipi ka deklaruar një veturë “Mercedes Benz” në vlerë 35 mijë euro e blerë në vitin 2018, dhe një të bashkëshortes në vlerë 8 mijë e 500 euro, e blerë në vitin 2019.

Si mëditje të marra nga Zyra e Kryeministrit për udhëtimet zyrtare jashtë vendit, Dalipi ka deklauar 4 mijë e 219 euro gjithsej.

Po tek të ardhurat vjetore, për pagën si shef i stafit të Kryeministrit, ai ka marrë  15 mijë e 275 euro.

Para të gatshme në bankë, Dalipi ka deklaruar se ka 2 mijë e 644 euro. Bashkëshortja e tij ka 58 mijë e 394 euro.