Shtator: Eksporti mbulon veç 14.1 për qind të importit

Kosova vazhdon të ballafaqohet me një disbalancë strukturore alarmante në bilancin e saj tregtar, ku importet tejkalojnë në mënyrë dramatike eksportet, duke gjeneruar një deficit kumulativ masiv që po thellohet vazhdimisht.

Hendeku tregtar i Kosovës u thellua ndjeshëm në shtator, duke u rritur me 21.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar – nga 429.4 milionë euro në 520.5 milionë euro, në një rrjedhë gjithnjë e më negative të importeve kundrejt eksporteve. Kjo lë mbulimin e importeve nga eksportet në vetëm 14.1%

Tregtia e Jashtme e Mallrave – Kosovë, 2025

Shifrat mujore për Janar–Gusht 2025. Vlerat monetare në milionë €; “Mbulimi” tregon përqindjen e importeve të mbuluara nga eksportet.

Muaji Eksportet (milionë €) Importet (milionë €) Deficiti tregtar (milionë €) Mbulimi i importeve
Janar 59,7 473,8 414,1 12.6%
Shkurt 67,3 518,6 451,4 13.0%
Mars 74,7 610,5 535,7 12.2%
Prill 73,8 566,2 492,3 13.0%
Maj 81,4 604,7 523,4 13.5%
Qershor 80,4 578,7 498,3 13.9%
Korrik 83,8 660,2 576,4 12.7%
Gusht 76,2 613,1 536,8 12.4%
Shtator 85,8 606,2 520,5 14.1%
Burimi: “Agjencia e Statistikave të Kosovës” (Janar–Shtator).

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importet arritën në 606.2 milionë euro në shtator (+19.6% vjetore), ndërsa eksportet u ngjitën në 85.8 milionë euro (+10.7% vjetore). Ritmi më i fortë i kërkesës për mallra të huaja, krahas rritjes më të matur të shitjeve jashtë, e shtyu diferencën tregtare në nivelin më të lartë të këtij viti për një muaj të shtatorit.

Në strukturë, importet u dominuan nga produktet minerale (14.6%), makineritë dhe pajisjet mekanike/elektrike (11.3%), metalet bazë (11.3%), si dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11.2%). Për eksportet, dominuan metalet bazë dhe artikujt prej tyre (19.1%), plastika dhe goma (12.5%), produktet minerale (12.4%) dhe ushqimet e përgatitura, pijet e duhani (11.5%)

Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar: 41.1% e importeve (249.4 milionë euro) dhe 32.7% e eksporteve (28.0 milionë euro) kaluan përmes tregut europian, me Gjermaninë që kryeson në të dyja drejtimet.

CEFTA vazhdon të jetë qendër e shitjeve tona jashtë (47.4% e eksporteve, 40.6 milionë euro), teksa në importe zë 14.5% (87.8 milionë euro), me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë si burimet kryesore.

Përtej Europës, Kina (15.6% e importeve) dhe Turqia (12.8%) zënë vend relativisht të lartë në zinxhirët globalë të furnizimit, sidomos për mallra industriale dhe konsum. Në anën e eksporteve jashtë rajonit, spikat Zvicra (11.0%) si destinacion i rëndësishëm.

Gjatë vitit 2025, eksportet kanë mbuluar vetëm 12–14 për qind të importeve. Në terma të thjeshtuar: për çdo 100 euro mallra që fusim në vend, vetëm rreth 12–14 euro po i mbulojmë me shitje jashtë, duke ushqyer një deficit që zgjerohet muaj pas muaji.

Në muajin korrik deficiti tregtar arriti 576,4 milionë euro. Importet ishin 660,2 milionë euro, ndërsa eksportet vetëm 83,8 milionë euro. Mbulimi ra në 12,7 për qind. Krahasuar me korrikun 2024, importet u rritën me 13,5 për qind, kurse eksportet ranë me 2,4 për qind.