Rusia kreu sulme të reja me dronë e raketa ndaj Kievit të martën, thanë zyrtarët ukrainas, duke vrarë shtatë njerëz, duke plagosur 21 të tjerë e duke shkaktuar pengesa në sistemet e energjisë elektrike dhe ngrohjes.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ruse hodhën më shumë se 460 dronë e 22 raketa, duke e shënuar sulmin e dytë të madh ndaj kryeqytetit këtë muaj. Forcat ajrore thanë se i kishin rrëzuar shumicën e dronëve dhe rreth gjysmën e raketave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Caqet kryesore ishin sektori i energjisë dhe gjithçka që e mban vijimësinë e jetës normale” – shkroi Zelensky në rrjetin “Telegram”.
Zyrtarët ukrainas, evropianë dhe amerikanë kanë zhvilluar disa runde bisedimesh ditëve të fundit dhe Kievit të martën sinjalizoi se e mbështet kornizën e marrëveshjes së paqes, por theksoi se duhet të rregullohen disa çështje të ndejshme.
“Ajo që ka rëndësi më së shumti tani është që të gjithë partnerët të lëvizin drejt diplomacisë së bashku, përmes përpjekjeve të përbashkëta. Presioni ndaj Rusisë duhet të sjellë rezultate” – tha Zelensky, duke bërë thirrje për furnizim të papenguar me armë e mbrojtje ajrore për Kievin.
Presidenti ukrainas tha se katër dronë rusë kanë fluturuar mbi fqinjët e Ukrainës – Moldavi dhe Rumani. Kjo e fundit është edhe anëtare e NATO-s.
Rumania tha se kishte ngritur në qiell aeroplanë luftarakë për t’i përcjellë dronët që kishin hyrë në territorin e saj afër kufirit me Ukrainën.











