SHSKUK-së edhe i mungojnë anesteziologët, edhe nuk hap konkurs për ta

Mungesa e anesteziologëve në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar vazhdon të mbetet problem, ndonëse pesë specialistë tashmë janë të gatshëm për tregun e punës. Pavarësisht nevojës, SHSKUK-ja ende nuk ka hapur konkurs për punësimin e tyre.

Pesë anesteziologë janë të gatshëm për tregun e punës që nga fundi i vitit 2025, por Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK), i cili përballet me mungesë të këtij profili, ende nuk ka hapur konkurs për punësimin e tyre.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Anesteziologëve, një specializant e ka përfunduar shkollimin specialistik në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa katër të tjerë në dhjetor.

Ndërkohë edhe tre kandidatë të tjerë janë aktualisht në proces.

“Numri total i anesteziologëve është 115. Deri më tani janë 5 në total (që kanë përfunduar provimin specialistik). Kontratë nuk kanë lidhur ende, sepse duhet të kalojnë procedurat e licencimit, pastaj procedurat e konkursit. Sivjet pritet që shkollimin ta përfundojnë diku 20 përgjatë vitit 2026”, ka thënë Agreta Gashi, kryetare e Shoqatës së Anesteziologëve.

Zakonisht, nga shpallja deri në përmbyllje, një konkurs për punësim në SHSKUK zgjat së paku dy muaj.

Megjithëkëtë, në SHSKUK e kanë arsyetuar moshapjen e konkursit me vlerësimin se numri i anesteziologëve që ka përfunduar shkollimin specialistik është i vogël.

“Numri i specializantëve (mjekë anesteziologë) që kanë përfunduar shkollimin specialistik është i vogël, duke marrë parasysh nevojat aktuale të Klinikës së Anesteziologjisë me Mjekim Intensiv. Duke pasur parasysh gjithashtu se procedurat administrative për hapjen e një konkursi për punësim zgjasin deri në tre (3) muaj, QKUK/ShSKUK do të hapë konkurs për punësim për specializantët që pritet të përfundojnë provimin specialistik”, thuhet në përgjigjen e përbashkët që ka dhënë ShSKUK-ja dhe QKUK-ja.

Në shtator të vitit të kaluar, KOHA raportoi se në 16 klinika të QKUK-së mbi 12 mijë pacientë kanë qenë në lista pritjeje për ndërhyrje kirurgjike.

Menaxhmenti i QKUK-së ka përmendur vazhdimisht mungesën e anesteziologëve si një nga arsyet për këtë situatë.

Megjithëkëtë, QKUK-ja nuk pati kërkuar specializime për anesteziologë në konkursin e fundit për shkollim specialistik. KOHA raportoi se në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit 2024 ishin paraparë gjithsej pesë specializime, të gjitha për spitalet rajonale.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri në vitin 2030 pritet të përfundojnë shkollimin gjithsej 51anesteziologë. Nga ta, në 2026-n 15 anesteziologë, në 2028-n 24 anesteziologë, në 2029-n 8 anesteziologë dhe në 2030-n 4 anesteziologë.

Në Klinikën e Anestezionit në QKUK, vitin e kaluar, theksuan se në pesë vjetët e fundit i janë larguar 22 anesteziologë, shumica prej tyre për në sektorin privat.