Shqiptari fshehë drogën përmes “kinder-vesë” dhe shpërndante me biçikletë, arrestohet

Policia e kryeqytetit ka zhvilluar një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes në doza të vogla të drogave të forta heroinë e kokainë.

Burime zyrtare bënë me dije se në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, mesditën e sotme në kuadër të një hetimi me metoda speciale të hetimit në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u finalizua operacioni i koduar “POROSIA”, ku u kap në flagrancë shtetasi Fatmir Malko, 36 vjeç, lindur në Tiranë, i dënuar më parë.

Nga informacionet e siguruara në rrugë operative nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike të llojit heroinë në zonat e Yzberishtit, Selitës, Astirit dhe Kombinatit, me porosi nëpërmjet telefonit dhe pas ndjekjes me metoda speciale të hetimit u organizua shërbimi për kapjen në flagrancë të këtij shtetasi.

Në mesditën e sotme, në afërsi të rrugës “Tre Dëshmorët” Policia ka kapur në flagrancë shtetasin Fatmir Malko i cili lëvizte me biçikletë, ku gjatë kontrollit fizik dhe në banesë policia gjeti dhe sekuestroi: 34 doza të dyshuara lëndë narkotike e dyshuar heroinë; 3 doza të dyshuara lëndë narkotike Kokainë, si dhe telefonin që përdorte për të siguruar klientelën.

Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lendëve
narkotike”.