Shqiptarët e Luginës protestojnë sërish

Diskriminimi sistematik, mohimi i të drejtave elementare si përdorimi i flamurit kombëtar, pasivizimi i adresave janë vetëm disa nga arsyet që qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës do të mbajnë protestën e dytë me radhë këtë të hënë në ora 13:00.

Kështu ka njoftuar Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu përmes një statusi në Facebook.

“Nesër të gjithë bashkë protestojmë për Identitet dhe Dinjitet. Për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Për qytetarët e Komunës së Bujanocit, grumbullimi fillon nga 11:30 deri ora 12:00 tek qendra e qytetit, pastaj në mënyrë të organizuar nisemi për në Preshevë. Nga Medvegja nisja për Preshevë bëhet në ora 09:30, nga zyra e KKSH-së”, ka shkruar ai.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se në këtë protestë do të kërkohet ndërprerja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohja e diplomave, vende të punë dhe institucione të hapura për të gjithë.

“Të marshojmë për barazi dhe drejtësi. Në gusht ishim në Bujanoc, në shtator jemi në Preshevë, për të dëshmuar se jemi një. Problemet tona nuk mund të shtyhen më. Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë. Për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Preshevën me Gjykatë, për institucione ku shqiptarët janë të përfaqësuar. Kjo është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë. Dilni dhe marshoni”, ka shkruar ajo në Facebook.

Protesta e parë e shqiptarëve në Serbi me sloganin “për identitet dhe dinjitet” u mbajt më 12 gusht në Bujanoc. Pas protestës, vetëm pas disa ditësh u shfaqën grafite anti-shqiptare si “vdekje shqiptarëve”, “Kosova është Serbi”, e të ngjashme.

Këto grafite u dënuan ashpër nga liderët politikë shqiptarë, të cilët kërkuan që autorët të mbahen përgjegjës. Nga ana tjetër, këto grafite nuk u dënuan fare nga autoritetet qendrore të Serbisë, çka bëri që të ketë akuza se të njëjtat janë nxitur nga vetë Beogradi zyrtar.

Ndryshe, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi, me më shumë se 61,000 qytetarë. Shumica e tyre janë në komunat në jug të Serbisë – Preshevë dhe Bujanoc. (Albanianpost)