Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur interesit të influencerit dhe sipërmarrësit ukrainas me bazë në Londër, Max Klymenko për disa çështje gjatë një interviste realizuar në kuadër të Samitit të NATO-s mbajtur disa javë më parë në Turqi.
Gjatë intervistës e cila u publikua sot në rrjetet sociale të TikTok-erit të njohur, Rama pyetet se si po e ndihmon Shqipëria Ukrainën.”Ne jemi përpjekur të bëjmë më të mirën tonë. Ne nuk jemi një vend i madh. Nuk jemi as një vend i pasur. Por kemi qenë pranë saj me gjithçka që kemi mundur”, përgjigjet Rama.
Mê tej, kryeministri shprehet se shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se “kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të vazhdojmë drejtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. Dhe sapo të jemi brenda Bashkimit Evropian, do të jemi të sigurt edhe nga vetja jonë”.
I pyetur për marrêdhëniet me liderët botërorë, Rama veçoi kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni si dhe kreun e NATO-s, Mark Rutte.
“Kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Ndoshta marrëdhënia më e mirë është me Giorgian. Kemi gjithashtu një marrëdhënie të veçantë mes Shqipërisë dhe Italisë. Kam pasur një marrëdhënie shumë sfiduese me Mark Rutte, kur ai ishte kryeministër i Holandës. Por më pas u bëmë miq shumë të mirë dhe kemi një miqësi të veçantë. Ai është, pa diskutim, njeriu që di ta menaxhojë më mirë Donald Trump”, u shpreh kryeministri.








