Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka bërë të ditur se, sipas informacionit të përditësuar nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, pritet të përfshihet mot i keq gjatë gjithë javës, me reshje të dendura shiu dhe dëbore, si dhe shtrëngata në disa zona atje.
Sipas parashikimeve, dita e hënë, do të nisë me reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.
Në Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara herë pas here me shtrëngata, ndërsa në pjesën tjetër të vendit priten reshje të dobëta. Intensiteti i tyre pritet të rritet gjatë orëve të pasdites.
Të martën, 18 nëntor, reshjet do të shtohen në të gjithë territorin. Shkodra, Kukësi, Vlora dhe Gjirokastra do të preken nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Lezha pritet të ketë reshje intensive, ndërsa në Dibër, Durrës dhe Tiranë parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata në gjithë vendin.
E mërkura, 19 nëntor, do të sjellë intensitet të lartë reshjesh në të gjithë vendin. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përjetojnë reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të ketë reshje mesatare deri intensive, të shoqëruara me stuhi.
Të enjten, 20 nëntor, pritet një ulje e intensitetit të reshjeve. Në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, ndërsa në qarqet e tjera të dobëta.
Në zonat malore mbi 400 metra lartësi në veri, lindje dhe juglindje, reshjet do të shndërrohen në dëborë, duke krijuar mundësi për ngrica dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Sipas Euronews Albania, parashikimet hidrometeorologjike tregojnë se në basenin e lumit Drin, sasia e reshjeve mund të arrijë deri në 150–200 mm në Fierzë dhe deri në 300 mm në Koman–Vau i Dejës, duke rritur vëmendjen për menaxhimin e prurjeve.
Strukturat e emergjencave civile do të vijojnë të informojnë publikun për situatën dhe çdo zhvillim të ri që lidhet me motin dhe rrezikun në terren.











