Shqipëria i ‘afrohet’ BE-së me 20 qendra të reja të azilit

Java që mund të riformatojë migracionin në kontinent.

Evropa po hyn në një fazë të re të politikave të migracionit – dhe Shqipëria ndodhet në qendër të zhvillimeve.

Ndërsa Tirana zyrtare miratoi Planin Kombëtar të Kontigjencës për Flukset e Përziera Migratore për periudhën 2026-2028, në Bruksel po përgatitet një vendim që mund të ndryshojë qasjen e BE-së ndaj azilit.

Të hënën e 8 dhjetorit, ministrat e Brendshëm të Unionit mund të bien dakord për krijimin e bazës ligjore që i lejon vendet e BE-së të ngrenë qendra pritjeje dhe procesimi të azilit jashtë Evropës – një ide që dikur u kritikua ashpër, por që tani po merr mbështetje të gjerë.

Ministri danez i Migracionit, Rasmus Stoklund, i cili drejton takimin final nën presidencën e Danimarkës, shprehet se “më shumë vende të BE-së po mendojnë në të njëjtën linjë dhe janë të interesuara të krijojnë qendra jashtë Evropës”, duke e cilësuar momentin si “një hap të madh përpara”.

Në këtë klimë të re evropiane, Shqipëria ka miratuar zyrtarisht planin kombëtar për menaxhimin e flukseve në rritje.

Dokumenti parashikon ngritjen e 20 qendrave pritëse në dy vitet e ardhshme, kryesisht në qarqet kufitare të Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës – zonat më të ekspozuara ndaj lëvizjeve të emigrantëve nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin korridorin ballkanik për të hyrë në BE.

Qendrat do të vendosen në godina publike ekzistuese, si konvikte, shkolla, pallate sporti dhe qendra komunitare, por edhe në struktura emergjente kur flukset rriten.

Ato do të ofrojnë strehim të përkohshëm, ndihmë humanitare, shërbime shëndetësore, mbështetje psiko-sociale dhe asistencë ligjore, në përputhje me standardet ndërkombëtare për trajtimin e emigrantëve.

Zbatimi i planit i është ngarkuar një sërë institucionesh – nga Ministria e Brendshme te ajo e Shëndetësisë, Arsimit, si dhe strukturave të emergjencave civile.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur BE-ja kërkon të forcojë kontrollin mbi kufijtë e saj dhe të parandalojë që azilkërkuesit e refuzuar të mbeten brenda territorit të unionit.

Nëse vendet anëtare bien dakord të hënën, rregullat aktuale të BE-së për azilin do të zbuten, duke hapur rrugën për qendra pritjeje dhe procesimi në vende të treta – nëse këto vende pranojnë dhe garantojnë standardet e të drejtave të njeriut.

Edhe pse procesi pritet të përballet me rezistencë në Parlamentin Evropian, Stoklund beson se “gjykatat nuk do ta ndalin këtë model”, duke theksuar se shtetet e BE-së “janë të detyruara të ofrojnë mbrojtje, por jo domosdoshmërish në territorin e tyre”.

Në këtë panoramë të re migratore, Shqipëria po pozicionohet si një vend kyç në hartën e menaxhimit të flukseve në Ballkan – ndërsa Evropa po lëviz drejt një sistemi krejtësisht të ri të azilit.

Në nivel rajonal, të dhënat e IOM-së dhe Frontex-it tregojnë se lëvizjet migratore në Ballkanin Perëndimor kanë pësuar rënie gjatë vitit 2025.

Sipas Frontex-it, hyrjet e parregullta në BE ranë me 22 për qind në 10-mujorin e parë, me një rënie të ndjeshme prej 46 për qind në Rrugën e Ballkanit Perëndimor.

Kombësitë më të raportuara në kufijtë e jashtëm të BE-së përfshijnë shtetas nga Bangladeshi, Egjipti dhe Afganistani.