Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka urdhëruar evakuimin e tre fshatrave për shkak të zjarreve në vend, transmeton KosovaPost.
Në një njoftim nga ministria thuhet se ky institucion ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, në Bashkinë Delvinë, Qarku Vlorë, për shkak të rrezikut nga zjarret.
“U bëhet thirrje të gjithë banorëve të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore, të cilat janë angazhuar për mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre”, theksohet në njoftim.
Sipas ministrisë, në operacionin për shuarjen e zjarreve janë përfshirë helikopterë.
Ndërkohë, disa banesa dhe një kishë janë dëmtuar nga zjarret në Bashkinë Delvinë, si dhe janë dëmtuar edhe pemë frutore në disa zona të vendit.
– Situata nga zjarret në Shqipëri
Gjatë orëve të fundit, në Shqipëri janë evidentuar dhjetëra vatra zjarri, ndërkohë sipas autoriteteve 10 vatra janë ende aktive në disa bashki.
Në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë thuhet se operacionet në terren vijojnë për izolimin dhe kontrollin e flakëve, në disa bashki të vendit.
Në javët e fundit, në Shqipëri kanë vazhduar zjarret në disa zona, ndërkohë në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake, vullnetarë dhe forca të tjera operacionale.
Gjithashtu, në ndihmë për shuarjen e zjarreve në Shqipëri në ditët e fundit u angazhuan edhe avionë nga Italia, Greqia, Kroacia dhe Hungaria, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Nga ana tjetër, Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një person si autori i dyshuar për zjarrvënie në fshatin Kakavijë.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarre, sot dhe nesër pritet përsëri “nivel i lartë” rreziku në të gjitha qarqet e vendit.
Sipas institutit, temperaturat sot dhe nesër pritet të regjistrohen nga 42-43 gradë celsius.
The post Shqipëri, urdhërohet evakuimi i tre fshatrave për shkak të zj*arreve appeared first on Kosovapost.net.