Shqipëri, mbahet paneli me temë “Emri i Fitores: Turqi”

Në Shqipëri është mbajtur paneli i diskutimit me temë “Emri i Fitores: Turqi”, në kuadër të aktiviteteve për 15 Korrikun, përvjetorin e nëntë të tentativës për grusht shteti në Turqi, aktivitet i organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.

Pjesë e panelit të moderuar nga Yusuf Özkır, anëtar i Bordit Drejtues të Agjencisë Anadolu, ishin Prof. Dr Ardian Muhaj nga Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, analisti Marlind Laçi, pedagogu Vehap Kola nga Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif dhe asistent profesori Recep Şehitoğlu nga Universiteti Gaziantep.

Në hapje të aktivitetit mbajti një fjalë përshëndetëse zëvendësambasadorja e Turqisë në Tiranë, Naime Öztürk Meral, e cila theksoi se lufta kundër FETO-s është ndër shtyllat themelore të sigurisë kombëtare të Republikës së Turqisë.

“Zhvillimi i këtij aktiviteti në një vend mik si Shqipëria, ku strukturat e organizatës terroriste FETO vazhdojnë të jenë të pranishme dhe aktive, është një hap me shumë rëndësi në drejtim të informimit dhe ndërgjegjësimit të opinionit publik për natyrën dhe rrezikun që përfaqëson kjo organizatë”, tha ajo.

Meral u shpreh se FETO është një organizatë kriminale e cila keqpërdor vlerat universale për qëllime të fshehta dhe të paligjshme dhe shtoi se FETO nuk përbën kërcënim vetëm për Turqinë, por edhe për të gjitha vendet dhe shoqëritë ku ka veprimtaritë e saj.

Në hapje të panelit, Özkır u shpreh se FETO përbën një rrezik dhe kërcënim serioz për Turqinë. “Përmes këtyre ngjarjeve domethënëse, veçanërisht atyre jashtë vendit tonë, ne po punojmë për të rritur ndërgjegjësimin dhe formësimin e opinionit publik, si dhe për të shprehur dhe shpjeguar se organizata terroriste FETO mbart një potencial të madh kërcënimi jo vetëm për Republikën e Turqisë, por edhe për vendet e tjera për shkak të stilit dhe qasjes së saj që gjeneron terrorizëm.”

– “Ne këtu në Shqipëri realisht lutemi, kërkojmë që edhe Shqipëria të jetë e lirë nga ndikimi i asaj organizate”

Muhaj gjatë fjalës në panel u shpreh se Turqia dhe populli turk janë aleati më i mirë si shtet dhe si popull për shqiptarët dhe kjo sipas tij është dëshmuar .

“Lufta e shtetit turk me puçistët, me organizatën (FETO) ka pasur sfidat e veta, pavarësisht sukseseve. Ne këtu në Shqipëri realisht lutemi, kërkojmë që edhe Shqipëria të jetë e lirë nga ndikimi i asaj organizate. Të mundësohet nga institucionet shqiptare spastrimi i plotë nga elementët destabilizues (të FETO-s)”, tha Muhaj.

Analisti Laçi u shpreh se rrezikshmëria e FETO-s shtohet në momentin kur shqiptarët e dinë mirë se kjo organizatë është pjesë e strukturave shtetërore dhe private.

“Mund të përmendim sektorin e arsimit privat, mjekësisë private, sektorin e drejtësisë shtetërore dhe sektorë të ndryshëm, siç mund të jenë sektorët e sigurisë, siç është ushtria apo policia, por edhe segmente që ndodhen në strukturat e inteligjencës së Republikës së Shqipërisë, gjë që e bën më të rrezikshme ekzistencën e kësaj organizate terroriste”, tha Laçi, duke folur mbi prezencën e FETO-s në disa sektorë në Shqipëri.

The post Shqipëri, mbahet paneli me temë “Emri i Fitores: Turqi” appeared first on Kosovapost.net.