Shqetësim ujërat e zeza, s’ka as roje plazhi

Bregdeti i Vlorës, edhe këtë sezon veror, po frekuentohet nga një numër i madh pushuesish, vendas dhe të huaj.

Megjithatë, krahas bukurive natyrore dhe klimës së favorshme, shqetësimet mbi pastërtinë dhe infrastrukturën publike po zënë vendin e tyre në përvojën e vizitorëve.

Pushuesit thonë se papastërtia përgjatë vijës bregdetare është evidente dhe kërkojnë që menaxhimi i hapësirave publike të përmirësohet ndjeshëm.


Një ndër ankesat më të shpeshta është mungesa e koshave të mbeturinave dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve urbane, të cilat shpesh përfundojnë në rërë ose në det.

“Duhet të ketë më shumë kosha dhe të pastrohet më shpesh. Ky vend ka shumë potencial, por papastërtia e dëmton imazhin,” thotë një pushues nga Tirana.

Një tjetër shqetësim serioz përmendur nga turistët janë kanalizimet e ujërave të zeza që, në disa raste, derdhen drejtpërdrejt në det, duke krijuar ndotje dhe rrezik për shëndetin publik. Gjithashtu, mungesa e rojeve të plazhit në shumë zona shton pasigurinë për pushuesit.

“Është e çuditshme që në një plazh kaq të madh nuk shohim asnjë roje. Kjo është e rrezikshme sidomos për fëmijët,” u shpreh një pushuese nga Kosova, raporton A2CNN.

Edhe çmimet e larta janë vlerësuar si një aspekt shqetësues nga pushuesit, të cilët presin një balancë më të mirë mes shërbimit dhe kostos.

Shumë prej tyre theksojnë se kjo nuk është hera e parë që vizitojnë Vlorën, por problemet e njëjta përsëriten prej vitesh. Sipas tyre, autoritetet duhet të marrin masa konkrete për të ruajtur dhe përmirësuar imazhin e këtij destinacioni të njohur turistik.

Në pritje të një sezoni të suksesshëm turistik, sfida për pastërtinë dhe menaxhimin e qëndrueshëm të bregdetit mbetet më e rëndësishme se kurrë.