Udhëheqësi paramilitar pro-rus, Armen Sarkisyan, u vra të hënën nga shpërthimi i një bombe në një bllok të banesave luksoze në Moskë, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.
Bomba u aktivizua në momentin kur Sarkisyan-i, i shoqëruar nga truprojat, hyri në katin përdhese të kompleksit “Velat e Kuqe” në bregun e Lumit Moskva, vetëm 12 kilometra larg Kremlinit, sipas mediave ruse, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një truprojë gjithashtu u vra e tri të tjera u plagosën, raportoi gazeta “Kommersant”.
Mediumi i pavarur rus, “Mediazona”, raportoi se Sarkisyan-i me prejardhje armene për një kohë të gjatë kishte qenë figurë e krimit të organizuar në qytetin Horlivka të rajonit Donetsk të Ukrainës.
Sipas këtij mediumi, në vitin 2022, ai kishte themeljuar një njësit paraushtarak pro-rus të përbërë kryesisht nga armenë etnikë për të luftuar kundër forcave ukrainase.
Në dhjetor, Ukraina e mori përgjegjësinë për vrasjen e gjeneralit rus, Igor Kirillov, përmes një shpërthimi në hyrje të një blloku banesor në Moskë.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina për shpërthimin e së hënës./Nacionale