Shpërthimet në veri, Haradinaj: Organet e sigurisë të bashkëpunojnë me KFOR

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar për shpërthimin në Zubin Potok. Ai kërkon që Institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe prezencën amerikane.

Haradinaj në një postim në ‘Facebook’ ka shkruar se shpërthimet në veri të vendit janë si rrjedhojë e mungesës e qasjes pro-aktive të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pjesë të Kosovës.

Shpërthimi i sotshëm në Ibër si edhe shpërthimi i mëparshëm në Zubin Potok manifeston mungesën e qasjes pro-aktive të Qeverisë së Kosovës dhe është pasojë e një politike krejt të gabuar të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pjesë të Kosovës. Institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR dhe prezencën amerikane”,  ka shkruar Haradinaj

Sipas tij, naiviteti dhe mosnjohuria me esencën e problemit nga ana e zyrtarëve politikë të qeverisë po rrezikon infrastrukturën strategjike të Kosovës.