Një vullkan në Gadishullin Kamchatka të Rusisë shpërtheu sot për herë të parë pas gjashtë shekujsh, duke hedhur një re të madhe hiri drejt lindjes, në Oqeanin Paqësor, njoftuan autoritetet, transmeton Anadolu.
Duke cituar të dhënat nga Ekipi i Reagimit ndaj Shpërthimeve Vullkanike të Kamchatkës (KVERT), zyra rajonale e Ministrisë ruse të Situatave Emergjente tha se vullkani Krasheninnikov, i vendosur në Lindjen e Largët të vendit, ka lëshuar një re shpërthimi që është ngritur deri në 6.000 metra,
“Nuk ka zona të banuara përgjatë rrugës së resë së hirit”, thuhet në deklaratën e ministrisë në Telegram, duke shtuar se nuk është raportuar rënie hiri në vendbanimet përreth dhe se aktualisht nuk ka grupe turistësh në zonë.
Vullkani, me lartësi 1.856 metra, tani është klasifikuar me kodin e rrezikut ajror “portokalli”, që sinjalizon rrezik të shtuar për avionët për shkak të hirit vullkanik në atmosferë. Autoritetet kanë këshilluar të shmanget udhëtimi në zonë ose ngjitja në vullkan.
“Ky është shpërthimi i parë historik i vullkanit Krasheninnikov në 600 vjet”, ka thënë Olga Girina, drejtuese e KVERT-it, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA.
Girina ka thënë se shpërthimi mund të jetë i lidhur me tërmetin e fuqishëm me magnitudë 8,8 që goditi të mërkurën brigjet e Kamchatkës, duke shkaktuar paralajmërime për cunami në gjithë Paqësorin, përfshirë Kilin.
Akademia Ruse e Shkencave tha se ky ishte tërmeti më i fuqishëm në rajon që nga viti 1952.
Po atë ditë, akademia raportoi një shpërthim në vullkanin Klyuchevskoy, një nga më aktivët në Euroazi, i vendosur rreth 160 kilometra në veri të Krasheninnikovit.
The post Shp*ërthen pas 600 vitesh vu*llkani Krasheninnikov në Rusi appeared first on Kosovapost.net.