Drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Shpend Maxhuni, pritet të largohet nga kjo pozitë, të cilën e mban prej pak kohësh.
Burime brenda Qeverisë i kanë thënë Insajderit se Maxhuni do të shkojë ambasador i Kosovës në një nga ambasadat perëndimore.
Maxhuni mban këtë pozitë për rreth një vit.
Ai u emërua drejtor i AKI-së pas largimit të Driton Gashit, i cili ishte shkarkuar nga pozita me vendim të kryeministrit, Ramush Haradinaj, pas skandalit të deportimit te gjashtë shtetasve turq të dyshuar për lidhje me Abdullah Gylenin, një klerik turk të cilin e kërkon shteti autoritar i udhëhequr nga Erdogani.
I kontaktuar nga Insajderi, Maxhuni nuk i ka kometuar pyetjet.
Edhe në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës kanë thënë se nuk janë në dijeni nëse Maxhuni do të largohet nga pozita e drejtorit të AKI-së. Zëdhënësja Donjeta Gashi, i ka thënë Insajderit se në Zyrën e Kryeministrit “nuk është diskutuar” kjo çështje.
Para se të emërohej drejtor i AKI-së, Shpend Maxhuni kishte shërbyer si zyrtar policor nga viti 1999 deri më 2011, derisa nga viti 2011 për shtatë vite kishte shërbyer si drejtor i Policisë së Kosovës.