Shpend Haxhibeqiri shkarkohet nga pozita e u.d. drejtorit të IPFK-së, QKUK jep detaje

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, ka marrë vendim për shkarkim të u.d. drejtorit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, Shpend Haxhibeqiri.

Shkarkimi dhe zëvendësimi i Haxhibeqirit nga IPFK, institut ky që funksionon në kuadër të QKUK-së, vjen disa ditë pas raportimit të Gazetës Nacionale për skandalin e fundit në të cilin ishte përfshirë instituti në fjalë.

Por, nga QKUK-ja nuk kanë dhënë detaje nëse shkarkimi i Haxhibeqirit erdhi pas dyshimeve për keqpërdorime brenda këtij instituti gjatë viteve të fundit.

“Ju konfirmojmë se në kuadër të ndryshimeve të brendshme organizative, në Institutin e Psikiatrisë Forenzike është bërë zëvendësimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit. Dr. Shpend Haxhibeqiri, i cili ka ushtruar përkohësisht këtë detyrë dhe është zëvendësuar nga Dr. Arsim Gashi, i cili tani ushtron funksionin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit”, kanë deklaruar nga QKUK për Gazetën Nacionale.

Rreth dyshimeve për keqpërdorime të shumta brenda Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, gjatë kohës sa Shpend Haxhibeqiri ishte drejtor i saj por edhe si ushtrues detyre i kësaj pozite, Gazeta Nacionale ka raportuar vazhdimisht.

Së fundmi, ky institut u përfshi në një skandal tjetër. Një person me inicialet L.S., i mori jetën vetes brenda qelisë së burgut në qendrën e paraburgimit në Hajvali.

Rasti ndodhi më 8 shtator të këtij viti, por ajo që zbuloi Gazeta Nacionale dëshmonte mospërgjegjësinë e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, që sigurisht ndikoi edhe në këtë rast tragjik.

L.S., ishte arrestuar më 12 korrik të këtij viti nën dyshimin për veprën penale “Kanosje”. Më datë 13 Korrik të këtij viti, të njëjtit i ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës – Dega Lipjan, kishte vendosur që masa e paraburgimit të të pandehurit L.S., të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë. Krejt kjo, kishte ardhur duke marrë parasysh gjendjen e tij shëndetësore.

Gjykata kishte urdhëruar IPFK-në gjithashtu që të kryente ekzaminimin psikiatrik të të pandehurit tashmë të ndjerë L.S.

Por, Instituti i Psikiatrisë Forenzike nuk kishte përfillur vendimin e gjykatës. L.S., kishte qëndruar në qendrën e paraburgimit në Hajvali deri më 8 shtator, pra më shumë se dy muaj, ndërsa ishte dërguar në IPFK vetëm në natën kritike, por të njëjtin nuk e kishin ndaluar për trajtim në institut. Atij i ishte bërë një kontroll dhe ishte kthyer sërish në qendrën e paraburgimit në Hajvali, ku edhe i kishte dhënë fund jetës së tij.

Për të konfirmuar këto informacione, Gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe u.d. drejtorin tashmë të shkarkuar të IPFK-së, Shpend Haxhibeqirin, por i njëjti nuk kishte pranuar të përgjigjej në pyetjet e gazetarit.

“Të lutem mos më pengo. Tung, tung..”, ishte përgjigjur shkurt Haxhibeqiri.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega Lipjan ka deklaruar për Gazetën Nacionale që nuk kanë qenë të njoftuar nga IPFK-ja për mos-pranimin e të pandehurit në institut për trajtim.

Kujtojmë se Shpend Haxhibeqiri edhe pasi i kishte mbaruar mandati në pozitën e drejtorit të IPFK-së, kishte vazhduar punën në këtë pozitë si ushtrues detyre, pas zvarritjes së procesit të konkursit dhe përzgjedhjes së drejtorit të ri të institutit.