Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili së fundmi ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje po kushtëzohet nga Dardan Molliqaj në mënyrë që Ndërmarrja Publike Banesore (NPB-ja) të jetë në dorën e këtij grupi.
Kështu të paktën po pohon aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Egzon Azemi, i cili është aksionar në këtë ndërmarrje bashkë me asamblistin Qëndrim Sahiti, i cili ka dhënë gjithashtu dorëheqje nga VV-ja.
“Shpendi po kushtëzohet nga Dardan Molliqaj që Ndërmarrja Publike Banesore (NPB-ja) të jetë në dorën e kllikës dhe shpresoj që ky kushtëzim të përfundojë sa më parë” është shprehur aktivisti i VV-së.
Azemi thotë se Shpend Ahmeti para se të largohej nga VV-ja u kishte premtuar se në këtë ndërmarrje do të jetë një anëtar nga VV-ja dhe një që ka dal nga VV-ja, mirëpo pas largimit nga VV-ja, Ahmeti sipas Azemit, e ka caktuar edhe një anëtar të tretë në këtë ndërmarrje e që është Dren Kukaj.
Kukaj njihet si person i afërt më Dardan Molliqajn.
“Fillimisht aty si aksionar jemi caktuar unë dhe asamblisti tjetër Qendrim Sahiti i cili dha dorëheqje nga VV-ja e qe po ashtu është i ndikuar nga kjo kllikë. Por Shpendi duke dashur ta luaj ‘neutralin’ tha do jeni në NPB një nga VV-ja një nga të vetdalurit.
E tash pasi që doli edhe vet, si aksionar të tretë e caktoi Dren Kukajn përsëri një nga njerëzit më të afërt të Molliqajt sepse duan të mbushin apetite e të krijojnë rrjete me të punësuar që ta mbajnë partinë e re.” Është shprehur Azemi.
Ai thotë se komuna e Prishtinës tani po shfrytëzohet si tortë për të ndarë egot e Molliqajt e Shpend Ahmetit.
“Komuna e Prishtinës, nuk guxon të jetë torte që ndahet për të plotësuar egot e grupimeve të ndryshme që duan pushtet, por duhet të qeverisët që qytetarëve tu shërbehet ndershëm.” Ka thënë ai.
Azemi ka kujtuar se Dren Kukaj ka premtuar se do ti rikthejë banesat të cilat drejtorët e LDK-së i kishin ndarë në mënyrë të padrejtë, por Azemi pohon se edhe Ahmeti e edhe Kukaj kanë hequr dorë nga dhënia e këtyre banesave familjeve në nevojë.
“Dren Kukaj ka premtuar se do t’i rikthejë banesat të cilat drejtorë të LDK në qeverisjet e kaluara ja kanë ndarë vetes në mënyrë të padrejtë. Ato banesa kanë pasë t’i ndahet familjeve me kushte të rënda sociale, për ta zbutur sadopak situatën në Prishtinë, mirëpo siçpo shihet nga kjo kanë hequr dorë tashmë edhe Dreni, por edhe Shpendi.” ka shkruar ai./GazetaBlic/