Shpallja e datës | E bllokuar nga Kurti, Kosova këtë javë hyn në Zgjedhje Lokale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që gjatë kësaj jave të dekretojë datën për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale 2025.

Demokracia.com ka mësuar nga burime të afërta me procesin zgjedhor se caktimi i datës nga presidentja Osmani është çështje ditësh dhe kjo pritet të ndodhë brenda pak ditësh.

Paraprakisht, në përputhje me obligimet e ligjit për zgjedhjet lokale, Osmani do të ftojë në konsultime partitë politike dhe më pas “cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale”.

Sipas afateve ligjore, zgjedhjet lokale për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale, pritet të mbahen në pjesën e dytë të muajit tetor. Zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur në 21 tetor 2021.

Kosova e bllokuar nga Kurti hyn në Zgjedhje Lokale

Më 1 qershor 2025, Kosova ka hyrë zyrtarisht në muajin e tretë të bllokadës nga kryetari i Vetëvendosjes, deputeti Albin Kurti, i cili nuk lejon konstitutimin e Kuvendit të Kosovës, respektivisht zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit.

Prej 24 seancave, të cilat mbahen çdo të dytën ditë, Kurti ka këmbëngulur në kandidimin e deputetes, Albulena Haxhiu, e cila nuk është pranuar nga partitë opozitare për shkak të dështimit të saj si Ministre e Drejtësisë dhe rolit destruktiv e përçarës në skenën politike kosovare.

Më 2 qershor, Kurti dhe Vetëvendosje do të provojnë për të 25-tën herë me radhë të ndryshojnë rregullat duke kërkuar votim të fshehtë dhe jo të ndryshojnë propozimin, ndonëse partitë tjera kanë shprehur gatishmëri për të marrë në konsideratë propozimet tjera.

https://demokracia.com/maratona-e-deshtimeve-shkoi-e-24-ta-te-henen-vjen-e-25-ta/

Hyrja e Kosovës në një proces të ri zgjedhor, ndonëse ende nuk janë konstituuar institucionet kryesore shtetërore, siç është Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, përbën një gjendje të paprovuar më parë në skenën politike e shtetërore të Kosovës.

Kjo situatë mund t’i shërbejë Qeverisë së dorëhequr që drejtohet nga Kurti, i cili, pavarësisht se Kushtetuta kërkon që si deputet të mos ushtrojë asnjë funksion tjetër, ai vazhdon që të mbajë mbledhje të Qeverisë e të marrë vendime dhe të shkojë në Kuvend për të votuar për kryetarin e Kuvendit. / Demokracia.com /