Konsorciumi i kompanive “Olti Trasing SH.P.K.” dhe “ALFA.i” është rekomanduar për kontratën e ndërtimit të Liceut Artistik në Prishtinë.
Njoftimi për dhënie të kontratës nga autoriteti kontraktues, Komuna e Prishtinës, është shpallur të mërkurën, raporton Paparaci.
Vlera e kontratës është 8.4 milionë euro, bazuar në njoftimin e publikuar në platformën e-prokurimi.
Vendimi paraqet një hap konkret të komunës për ndërtimin e atij që e quan Lice Artistik, ku do t’i bëhet vendi edhe shkollës së mesme të lartë të muzikës “Prenk Jakova”.
Guri themeltar i ndërtesës ishte paraparë të vihej në vjeshtën e vitit të kaluar, por për shkak të procedurave të zgjatura në tenderim, puna për ndërtimin e liceut pritet të fillojë së shpejti në këtë fillim të vitit.
Projekti për ndërtimin e Liceut Artistik të Prishtinës ekziston dhe synimet janë që ndërtimi të bëhet afër ndërtesës së Qeverisë, ish-pallatit të shtypit “Rilindja”.
Kryesuesi i konsorciumit fitues, “Olti Trasing SH.P.K.” është një kompani me pronar biznesmenin Ragip Mustafa, ndërsa kompania tjetër në konsorcium, “ALFA.i” është në pronësi të Halil Jahajt. /Paparaci.com










