Për historinë e dashurisë mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortes së tij Brigitte është folur prej vitesh, duke ngjallur vazhdimisht kuriozitet e shpesh edhe polemika.
Këtë javë, kjo marrëdhënie u bë sërish pjesë e titujve kryesorë në media, pas një incidenti që ndodhi në një aeroport në Vietnam, gjatë zbritjes së çiftit nga avioni presidencial.
Historia e tyre fillon shumë vite më parë, kur Emmanuel ishte vetëm 15 vjeç dhe frekuentonte një shkollë katolike, ku Brigitte ishte mësuese. Që atëherë, duket se çifti është bërë i pandashëm. Këtë e konfirmon edhe një biografi e re, e shkruar nga mikja e tyre e ngushtë, Gaël Tchakaloff, e cila i ka shoqëruar nga afër për një vit për të shkruar librin me titull Tant Qu’on Est Tous les Deux (“Sa kohë jemi të dy së bashku”).


Në këtë libër, vihet në dukje lidhja e ngushtë që kanë Macron dhe Brigitte. Autorja shkruan se presidenti francez e telefonon bashkëshorten e tij çdo një orë e gjysmë.
Sipas një burimi të afërt me çiftin, Brigitte është thellësisht e përkushtuar ndaj burrit të saj dhe suksesit të tij. Ajo menaxhon axhendën e tij ditore dhe në shumë aspekte është këshilltarja e tij jozyrtare.
“Nuk kalon as një orë e gjysmë pa folur me njëri-tjetrin”, thuhet në libër. “Ata kanë një orar të përbashkët. E dinë saktësisht çfarë po bën tjetri, minutë pas minute”, shkruhet më tej. Edhe pse kjo biografi nuk është zyrtarisht e miratuar, dihet prej kohësh që Brigitte ka deklaruar se nuk i pëlqen të flejë e ndarë nga Emmanuel.