Shoqëria Civile kundërshtoi ndryshimin e procedurës së votimit, Murati i sulmon: Janë në sinkron me partitë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka komentuar propozimin e sotëm nga kryesuesi Avni Dehari që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet me vota të fshehta, duke thënë se, është Gjykata Kushtetuese ajo që ka sqaruar se një nga format e pranueshme për votim janë votat e hapura, të fshehta ‘‘apo çfarëdo mënyre tjetër’’.

Në reagimin e tij të bërë në Facebook, Murati ka sulmuar shoqërinë civile, pasi nga kjo e fundit u kundërshtua ndryshimi i mënyrës së këtij procesi të votimit, duke aluduar se sipas tij, këto të fundit janë në sinkron me partitë e tjera.

‘‘Në Aktgjykimin e vitit 2014 për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vetë Gjykata Kushtetuese në paragrafin 124. ka sqaruar që ndër mënyrat e pranueshmë për votim, janë vota e hapur, vota e fshehtë, apo çfarëdo mënyre tjetër.

Por ç’e do Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kur disa organizata të “shoqërisë civile”, në sinkron me partitë që po bllokojnë konstituimin e Kuvendit, sot e shpallën si anti-kushtetuese këtë formë të votimit’’, ka shkruar ai.

Më tej, deputeti i VV-së ka sulmuar edhe partitë e tjera duke thënë se po shihet ‘’se kush po e bllokon konstituimin e Kuvendit’’.

‘‘Edhe më interesant është paragrafi 125. ku thuhet:

“Gjykata konsideron se mënyrat e ndryshme të votimit (hapur, fshehtë, etj) kanë për qëllim të sigurojnë SHPREHJEN DEMOKRATIKE DHE TË PAVARUR TË VULLNETIT TË DEPUTETËVE dhe të sigurojnë të drejtat e deputetëve në mënyrë që ata t’u përmbahen obligimeve të tyre.”

Pra, sipas Aktgjykimit të GJK, Kushtetuta njeh mundësi të ndryshme të votimit dhe u takon deputetëve që të zgjedhin mënyrën më të mirë për të zhbllokuar procesin.

Por edhe kësaj radhe, u pa përfundimisht se kush po e bllokon konstituimin e Kuvendit’’, ka shkruar ai.

Ndryshe, propozimi për votim të fshehtë të kryetarit të kuvendit u bë nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.

Megjithatë, ky propozim i Deharit nuk gjeti përkrahje nga partitë e tjera, të cilat e kundërshtuan ashpër.