Shoqata e Prokurorëve të Kosovës: Reagimet ndaj Isufajt përçojnë mesazhe tendencioze politike

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka dalë me një reagim ndaj deklaratave të fundit të deputetëve, zyrtarëve të lartë të Qeverisë dhe personave të tjerë publikë lidhur me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj dhe ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shte​tit, Besim Kelmendi.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se Shoqata e Prokurorëve të Kosovës është e bindur se këto deklarata kanë për qëllim që të përçojnë mesazhe tendencioze politike dhe bëhen për nevoja të agjendave të caktuara publike.

“Me ç’rast shërbehen me fakte të pabazuara dhe përdorin një gjuhë denigruese kundër personaliteteve dhe bartësve të institucioneve prokuroriale dhe si të tilla janë në kundërshtim të plotë me misionin dhe rolin që ka Prokurori i Shtetit”.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës thekson se sulmet e fundit nga pushteti dhe palë të tjera në kuadër të mediumeve të vendit ndaj përfaqësuesve të sistemit prokurorial janë tendencioze dhe qëllimkëqija dhe nuk kanë se si të quhen ndryshe përveçse tentime për ndikime të dëmshme, sjellje të papranueshme dhe të rrezikshme, që përpiqen të ndikojnë në cenimin e pavarësisë së Prokurorit të Shtetit kur dihet saktë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet nuk e durojnë një sjellje të tillë dhe veprim kundër vlerave që i kërkon sundimi i ligjit”, thuhet në njoftim.

Reagimet ndaj Isufajt vijnë pas arrestimit të udhëheqësit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit. Zyrtarë të partisë në pushtet arrestimin e Krasniqit e lidhën me refuzimin që presidentja Vjosa Osmani i kishte bërë kërkesës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

E veç tyre, reagim ndaj Isufajt sot pati edhe nga kryeministri i vendit, Albin Kurti. Kreu i ekzekutivit, duke folur për Isufajn në Kuvendin e Kosovës, tha se “ata që e bëjnë vrasjen vetëvrasje dhe vetëvrasjen vrasje, s’mund të bëhen kryeprokuror”.

Related Posts