Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se mbrëmjen e së premtes, më 11 korrik 2025, njësitet e Komunikacionit Rrugor kanë ndaluar një automjet të tipit Mercedes me targa vendore, në hyrje të qytetit të Kaçanikut, në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik.
Sipas njoftimit, shoferi E.K., 21 vjeç, ishte duke lëvizur me shpejtësi 70 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar ishte 40 km/h. Për këtë shkelje i është shqiptuar një gjobë prej 40 euro.
Por pas verifikimeve shtesë, është konstatuar se ndaj shoferit ishte në fuqi një masë mbrojtëse 12-mujore, e vendosur më herët për shkak të akumulimit të 11 pikëve negative dhe kundërvajtjeve të përsëritura që nga nëntori i vitit 2023. Si pasojë, automjeti i tij është konfiskuar.
Policia Rajonale në Ferizaj ka paralajmëruar se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aktivitete të intensifikuara me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore dhe zbatimit të ligjit.
Policia gjithashtu u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo shkelje apo rrezik në trafik në këto forma:
192
0290/326-250
0290/322-406
Aplikacioni “Lajmëro Policinë”
Të gjitha denoncimet trajtohen me konfidencialitet të plotë.
The post Shoferi në Kaçanik kapet me shpejtësi tej normave, i konfiskohet vetura për shkak të shkeljeve të përsëritura appeared first on Kosovapost.net.