Dy shtetas turq të armatosur u arrestuan në qytetin e Viterbos, në Italinë qendrore, pak orë përpara nisjes së një festivali popullor.
Lajmin e konfirmoi kryeministrja Giorgia Meloni, e cila përgëzoi policinë dhe ministrin e Brendshëm për ndërhyrjen e shpejtë, që çoi drejt arrestimit, në orët e vona të së mërkurës dhe lejoi mbajtjen e qetë të eventit lokal.
Ndërkohë, mediat italiane raportuan se dy personat akuzohen se po përgatisnin sulmin ndaj festivalit, ku do të merrte pjesë edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Janë disa mijëra njerëzit që ndjekin festën “Macchina di Santa Rosa” të Viterbos, një procesion fetar dhe celebrim që mbahet çdo 3 shtator në nder të shenjtores së qytetit, Shën Roza.
Eventi përfshin 100 persona që mbajnë një strukturë të lartë e të ndriçuar të quajtur “Makina”, e cila peshon rreth 5 tonë, përgjatë rrugëve të ngushta e mesjetare të qytetit.
Policia italiane nuk ka bërë ende një deklaratë mbi motivet e ngjarjes së parandaluar, e cila vjen pasi në muajt e fundit autoritetet turke dhe ato italiane kanë vepruar kundër grupeve kriminale turke.
Në prill, një operacion i koordinuar në Turqi dhe shtete të ndryshme evropiane çoi në arrestimin e 234 personave, si dhe në konfiskimin e 21 tonelatave drogë.
Ndërsa në maj të 2024-s, forcat e policisë italiane, të ndihmuara nga Interpoli, bastisën një apartament në qytetin e Viterbos dhe arrestuan një nga bosët më të rëndësishëm turq të krimit, Bariş Boyun, ndër personat më të kërkuar nga Ankaraja.