Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj shkyçjes së bizneseve nga rrjeti elektrik, duke thënë se vendimi i jashtëligjshëm i ZRRE-së ka goditur në mënyrën më të ulët bizneset, ekonominë dhe qytetarët e Kosovës, dhe se një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës.
Në reagimin e saj, OEK thotë se ka pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike, raporton KP.
“Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ te kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore.”
OEK rikujton se ka raste kur bizneset kanë kontrata të lidhura, por zyrtarët e KEDS-it prapëseprapë kanë shkuar për të ndërprerë energjinë elektrike.
“Po ashtu, kemi biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike, megjithatë edhe atyre u është ndërprerë energjia. Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë i përgatitur.”
OEK i bënë thirrje ZRRE-së të ndalojë menjëherë këto veprime arbitrare dhe të kthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të organizuar një tranzicion të mirëplanifikuar për daljen në tregun e lirë të energjisë.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen bizneset të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, kanë të punësuar 143 mijë qytetarë të vendit dhe janë më meritorët për stadin ku ka arritur zhvillimi i shtetit të Kosovës.”
Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka filluar shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, siç parashihet me vendimin e datës 13 gusht të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kjo e fundit kishte njoftuar se shkyçjet do të nisin më 16 gusht, pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të ZRRE-së. Sipas njoftimit, mbi 600 njehsorë smart do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjetër do të shkyçet fizikisht nga ekipet e KEDS-it në terren në të gjithë Kosovën.
The post Shkyçja e bizneseve nga rrjeti energjetik, OEK: Kësaj i gëzohen vetëm armiqtë e Kosovës appeared first on Kosovapost.net.