Qyteti i Shkupit sot nënshkroi marrëveshje me kompaninë Chariot Motors për shfrytëzimin e autobusit elektrik në fazë testuese për një periudhë prej gjashtë muajsh. Autobusi elektrik do të fillojë të qarkullojë në rrugët e qytetit në muajin prill, në linjën me numër 15 të NQP prej në Lisiçe të re deri në Karposh 4 përgatë kësaj trase rrugore: bul. Jane Sandanski, bul. Koço Racin, rr. Dimitrie Çupovski, bul. Aradhat partizane dhe anasjelltas. Në këtë autobusë mund të transportohen deri në 85 udhëtarë.
Pas skadimit të periudhës së provës, ky autobus elektrik do t’i ofrohet NQP dhe transportuesve privatë për ta blerë atë.
– Nëpër Shkup do të qarkullojë autobusi elektrik. Nënshkruam marrëveshje me Chariot Motors për shfrytëzim të autobusit elektrik në fazë testuese për një periudhë prej gjashtë muajve. Kjo është një mundësi e shkëlqyer që do të na pasurojë me eksperiencë të re për qytetin, të cilën mund ta përdorim më tej në planifikimin e modernizimit të transportit publik. Autobusi është bërë sipas trendeve të fundit teknologjike në këtë industri. Është autobus me efikasitet energjetik që shpenzon sasi minimale të energjisë elektrike dhe është i pajisur me sistem të shpejtë të mbushjes me energji elektrike. Përparësia më e madhe është se nuk ka emisione të gazrave që ndotin ajrin – tha sot kryetari Petre Shilegov në nënshkrimin e marrëveshjes me Chariot Motors.
Shilegov shpjegoi se autobusi do të qarkullojë në numrin e linjës 15, ndërsa stacionet e mbushjes me energji elektrike në Lisiçe të re dhe Karposh 4 janë vendosur me ndihmën e EVN-së.
– Investimi në transportin publik që është me efikasitet energjetik dhe që nuk e ndot ajrin është investim në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm jetësor. Zgjidhja e problemit dhjetëvjeçar të transportit publik në Shkup është pjesë e listës së prioriteteve të Qytetit. Këtë vit parashikuam buxhet për subvencione për blerjen e eko-autobusëve në vlerë prej 100 milion denarë dhe për transportuesit privat në vlerë prej 20 milion denarë. Punojmë për modernizimin e transportit të autobusëve të qytetit. Shkupi meriton transport të autobusëve që nuk do të ndot, do të jetë me efikasitet energjetik dhe do t’i përmbushë tërësisht nevojat e qytetarëve që e përdorin atë – theksoi kryetari Shilegov.
Shilegov iu falënderua Chariot Motors.që mundësoi për herë të parë nëpër rrugët e Shkupit të qarkullojë autobus elektrik që është shumë e rëndësishme për avancimin e standardeve ekologjike, për ajër të pastër dhe mjedis më të pastër jetësor.
Përfaqësuesit e Chariot Motors shpjeguan se bëhet fjalë për një kompani izraelite për prodhimin e autobusëve elektrik me seli në Sofje, e cila në bashkëpunim me kompaninë kineze Hajger prodhon 76 autobusë në ditë. Ata iu falënderuan Qytetit të Shkupit për mundësinë për t’i prezantuar autobusët e tyre elektrikë si investim në ardhmërinë e transportit. Autobusët e tyre tashmë qarkullojnë nëpër rrugët e Beogradit, Gracit, Tel Avivit, dhe së shpejti në Madrid dhe Salcburg./Koha.mk