Shkrimtari i njohur palestinez vdiq nga uria në Gaza – kishte humbur 26 anëtarë të familjes në sulmet izraelite

Akademiku i njohur palestinez, shkrimtari dhe poeti Omar Harb ka vdekur nga kequshqyerja si pasojë e bllokadës disa mujore izraelite në Rripin e Gazës.

Omar Harb ndërroi jetë sot pasi shëndeti i tij ishte përkeqësuar gjatë javëve të fundit, raportuan mediat lokale.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve të lidhura me urinë në Gaza është rritur në 370, ndërsa shumicën e viktimave i përbëjnë fëmijët, gratë dhe të moshuarit.

Gjatë luftës, ai humbi të paktën 26 anëtarë të familjes, përfshirë bashkëshorten, fëmijët dhe nipërit e mbesat. Para tetorit 2023, Harb peshonte pothuajse 120 kilogramë.

Në një intervistë të fundit për Al Jazeera, ai peshonte më pak se 40 kilogramë. Në atë intervistë, dhënë tre javë para vdekjes, ai përshkroi vuajtjet e tij personale duke kërkuar ushqim, ilaçe dhe ndihmë mjekësore që kurrë nuk i mori. Ai gjithashtu kishte kërkuar një karrocë të re për personat me aftësi të kufizuara.

“Kam parë fotografitë e mia para dhe pas dhe mendova ‘është e pamundur që kjo të jetë e njëjta person’. Nuk e dimë më pse kemi arritur në këtë pikë. Njerëzit po vuajnë, dhe askush nuk i kushton vëmendje kësaj vuajtjeje”, kishte thënë ai në intervistë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se 1.9 milion njerëz në enklavë vuajnë nga kequshqyerja, ndërsa mbi 640 mijë persona përballen me formën më ekstreme të urisë.

Në fund të muajit gusht, sistemi i monitorimit të ushqimit i OKB-së (IPC) shpalli zyrtarisht për herë të parë gjendjen e urisë në Gaza.

Harb, i cili kishte disa kualifikime në psikologji dhe kishte diplomuar në universitetin prestigjioz Al-Azhar në Egjipt, ishte aktiv në fushën e tij deri në fillimin e sulmeve izraelite në Gaza.

Shëndeti nisi t’i përkeqësohej pas sulmeve izraelite ndaj shtëpive të familjes së tij dhe vrasjes së të afërmve.

Edhe pse Harbit iu tha se do të evakuohej nga Gaza gjatë Ramazanit vitin e kaluar, ai mori më pas një njoftim se nuk e kishte emrin në listë.