Shkresa sekrete: Albin Kurti keqpërdori KQZ-në për zgjedhje

Datën 28 dhjetor, presidentja Vjosa Osmani e pati vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Arsyetimi ishte koha që nevojitej për përgatitjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja.

Arsye më shumë mund të ketë qenë edhe një letër që Presidenca mori nga KQZ-ja ku i kërkohej të refuzohej 21 dhjetori e caktohej 28 dhjetori, raporton Klan Kosova.

Presidentja nuk e përmendi letrën, por kryeministri Albin Kurti tha se shkresa e KQZ-së ishte vula që caktoi zgjedhjet me 28 dhjetor.

Por tani, rezulton se presidentja Osmani mund të jetë vënë në lajthitje. Kjo pasi për dokumentin që shkoi në Presidencë në emër të KQZ-së, nuk dinë asgjë shumica e anëtareve të tij.

Klani ka mësuar se shkresa në presidencë ka shkuar direkt nga zyra e sekretariatit të KQZ-së, përmes kryesuesit të KQZ-së, por pa kaluar nëpër këshillat përkatës që i posedon ky institucion. Andaj, askush nuk i kishte njoftuar anëtarët e tij.

Po ashtu siç mëson televizioni, drejtori i Sekretariatit Besnik Buzhala, këtë shkresë nuk e bëri i vetëm, por së paku me dy zyrtarë apo anëtarë tjerë të këtij institucioni. E krejt kjo është mbajtur sekrete brenda institucionit.

Televizioni kontaktoi të premten vetë Buzhalën, që del të jetë i afërt me deputetë të Vetëvendosjes dhe mban dy pozita udhëheqëse në KQZ. Njëra drejtor Ekzekutiv i Zyrës së Partive Politike e tjetra e drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së.

Por Buzhala refuzoi të përgjigjet në pyetjen nëse në Presidencë shkresa shkoi nga ai.

Ndërkohë, nga LDK e PDK, i thanë Klanit se një dokument i tillë nuk është diskutuar asnjëherë në mbledhjet zyrtare të KQZ-së dhe as nuk është miratuar.

Klan Kosova ka dërguar pyetjet në adresë edhe të KQZ-së, por nuk ka marrë përgjigje.