Shkolla e Mesme e Lartë Teknike “Lutfi Musiqi” në Vushtrri po shënon një sukses të ri në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, duke u bërë pjesë e projektit ndërkombëtar “Career Guidance International” (Udhëzim Karriere në Nivel Ndërkombëtar).
Ky projekt synon forcimin e udhëzimit të karrierës për nxënës, zhvillimin e mobiliteteve ndërkombëtare dhe shndërrimin e përvojave profesionale në vlera konkrete për mësim, punësueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm profesional, shkruan Fokusi.info.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, SHMT “Lutfi Musiqi” bashkëpunon me 8 organizata nga 7 vende, të cilat sjellin përvojë dhe ekspertizë të avancuar në orientim dhe këshillim karriere. Partnerët ndërkombëtarë përfshijnë organizata prestigjioze si Mundus (Spanjë), Uniser (Itali), Omnia Education Partnerships (Finlandë) dhe CINOP (Holandë). Ndërkohë, nga rajoni i Ballkanit Perëndimor janë përfshirë APPK – Agjencia e Përkrahjes së Punësimit (Kosovë), SHMT “Lutfi Musiqi” Vushtrri, Kolegji Profesional i Tiranës (Shqipëri) si dhe Shkolla e Mesme Profesionale e Plevlës (Mali i Zi).
Gjatë muajit shkurt ka filluar trajnimi online i mësimdhënësve të interesuar për këtë program, ku përveç stafit të SHMT “Lutfi Musiqi”, po marrin pjesë edhe mësimdhënës nga disa shkolla të tjera të Kosovës, duke dëshmuar interesim të gjerë institucional për fuqizimin e udhëzimit të karrierës. Në këtë trajnim janë përfshirë mësimdhënës nga:
IAAP “Rifat Gjota” – Pejë, IAAP “Hasan Prishtina” – Mitrovicë, SHMU-2 – Vushtrri, SHMU “Bahri Kuqi” – Shtitaricë, SHMU “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Pantinë si dhe SHMU “Hajrullah Shala” – Akrashticë, shkruan Fokusi.info.
Pas përfundimit të trajnimit, pesë mësimdhënës nga SHMT “Lutfi Musiqi” do të vazhdojnë zhvillimin profesional përmes vizitave studimore në Finlandë dhe Holandë, të organizuara nga partnerët Omnia Education Partnerships dhe CINOP, institucione të njohura evropiane për ekspertizën e tyre në fushën e orientimit dhe udhëzimit të karrierës.
SHMT “Lutfi Musiqi” mbetet e hapur për bashkëpunime të reja me të gjitha shkollat e interesuara, duke synuar avancimin e cilësisë së udhëzimit të karrierës dhe përgatitjen sa më të mirë të nxënësve për tregun e punës dhe sfidat e së ardhmes./Fokusi.info/










