Shkeljet penale në zgjedhje: Krejt çfarë ndodhi më 9 shkurt

Prokuroritë e rajoneve të ndryshme të Kosovës kanë nisur hetime në disa pista për shkelje penale gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas raporteve zyrtare, shkeljet më të shpeshta ishin cenimi i fshehtësisë së votimit dhe sulmet ndaj personave zyrtarë.

Kur nuk kishte kaluar as një orë nga hapja e vendvotimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit, një burrë u arrestua në Podujevë, rreth 30 kilometra larg Prishtinës.

Kjo pasi, sipas Policisë, gjatë procesit të votimit, ai nuk respektoi urdhrat e Policisë dhe madje sulmoi fizikisht një zyrtar policor.

Ky incident ishte ndër të parët që u shënua gjatë ditës së zgjedhjeve, e cila sipas institucioneve dhe organizatave monitoruese, ishte përgjithësisht i qetë.

Pak kohë më vonë, rreth orës 9, dy burra u arrestuan në Prishtinë. Ata dyshohet se vendosën disa pamflete afër vendvotimit të ndërlidhura me zgjedhje.

Ata u dërguan në mbajtje si të dyshuar për veprën “nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit”.

Ndonëse nuk dha më shumë detaje për këto dy raste, Prokuroria e Prishtinës i tha REL-it se në ditën e zgjedhjeve shënuan edhe një rast të tretë të shkeljeve penale që lidhen me zgjedhjet.

Një burrë me iniciale XH.A, u ndalua në Fushë Kosovë nën dyshimet se asistoi në votim më shumë se një herë “për kinse të afërmit e tij”.

Sipas Ligjit për zgjedhje në Kosovë, votimi me asistencë lejohet kur vërtetohet se votuesi nuk është i aftë ta kryejë vetë këtë proces.

Megjithatë, askush nuk guxon të asistojë më shumë se një herë apo për më shumë se një person në votim.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve në total, në Polici u shoqëruan shtatë persona për shkelje të ndryshme në procesin e votimit. Disa prej tyre u dërguan në mbajtje e disa u liruan në procedura të rregullta.

Edhe në pjesën juglindore të Kosovës, incidentet filluan herët.

Rreth orës 7 e 30 të mëngjesit, në Gjilan, një burrë u arrestua në vendvotim pasi dyshohet se cenoi fshehtësinë e votimit.

Sipas Kodit Penal, kjo vepër mund të nënkuptojë raste kur dikush me përdorim të forcës apo kanosjes serioze, “ose në ndonjë mënyrë tjetër të kundërligjshme kërkon nga personi (tjetër) që të tregojë si ka votuar”.

Varësisht nëse vepra është kryer nga votuesit apo zyrtarë të angazhuar në procesin zgjedhor, kjo vepër dënohet me një deri në pesë vjet burgim.

Në Gjilan, po ashtu në ditën e zgjedhjeve, u arrestua një person pasi kishte shpërfillur urdhrat për largimin nga qendra e votimit edhe pasi ajo ishte mbyllur për votues.

Në Vushtrri, atë ditë po ashtu pati një arrestim për cenim të fshehtësisë së votimit.

Hetime për telashet me platformën e KQZ-së

Dyshimet për parregullsi në zgjedhje nuk përfunduan vetëm me procesin e votimit.

Pasi qendrat ishin mbyllur dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nisi procesin e numërimit të votave dhe publikimit të rezultateve në kohë reale online, platforma zyrtare ku bëhej kjo ra nga sistemi.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi të dielën vonë se softueri i numërimit të votave ka dështuar, por nuk i bëri të qarta arsyet.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë, tha se pasi ka pranuar informacione rreth mosfunksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo.

Deri më tani, kjo Prokurori nuk ka dhënë detaje se në çfarë faze janë këto hetime.

Ministri në arrest shtëpiak

Ndonëse nuk u raportua për shkelje penale gjatë procesit të zgjedhjeve, rajoni i Prizrenit u përball me një incident tjetër, ditën e zgjedhjeve.

Më 9 shkurt, Policia arrestoi ministrin aktual të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe një person tjetër, familjar të tij.

Sipas Prokurorisë, që të dy të arrestuarit dyshohen për veprat sulm dhe kanosje ndaj dy personave tjerë.

“Janë dy viktima të dëmtuar, që janë kanosur. Fillimisht është sulmuar një nga viktimat që është grua dhe tjetri është burrë. Janë kanosur me jetë nga personat që janë të ndaluar”, kishte njoftuar prokurori i rastit, Petrit Kryeziu.

Damka i përket Partisë Demokratike Turke të Kosovës, ndërkaq dy viktimat, sipas Kryeziut, ishin nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore.

Edhe pse Prokuroria kërkoi paraburgim për ta, Gjykata e Prizrenit më 11 shkurt mori vendim që t’i vendosë në arrest shtëpiak për një muaj.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga Qeveria e Kosovës, lidhur me rastin.

Misioni i BE-së në Kosovë, por edhe organizatat monitoruese të zgjedhjeve në vend, kryesisht e kanë lavdëruar procesin zgjedhor dhe numrin e vogël të incidenteve.

Rrjeti i organizatave monitoruese, Demokracia në Veprim, pas mbylljes së vendvotimeve kishte thënë se 9 shkurti ishte “Një proces i shkëlqyeshëm zgjedhor, me integritet dhe pa probleme të theksuara”.

Këtë vit, për herë të parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar edhe vendosjen e kamerave në vendvotime për të siguruar që shkeljet e mundshme të mund të regjistrohen dhe të përdoren si prova nga organet e rendit.

Prokuroritë vendore, por as KQZ-ja nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse u është dashur t’i përdorin incizimet nga këto kamera si prova në ndonjërin nga rastet.