Shkelje serioze në tenderin e ndërmarrjes që drejtohet nga Faruk Mujka, OSHP i shqipton vërejtje zyrtarit të prokurimit

Moszbatimi i vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) përbën shkelje të rëndë ligjore, e cila, sipas Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), mund të çojë deri në marrjen e licencës së zyrtarit përgjegjës të prokurimit. Megjithatë, në një rast të fundit që përfshin Ndërmarrjen Hidroekonomike Ibër Lepenc SH.A., Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka zgjedhur një qasje më të butë, duke u mjaftuar vetëm me shqiptimin e një vërejtjeje zyrtare, pavarësisht konstatimit të shkeljeve të qarta procedurale dhe ligjore, shkruan Demokracia.com.

Fjala është për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me pajisje për IT”, me vlerë të parashikuar 54,200 euro, ku Paneli i OSHP-së ka konstatuar se zyrtari përgjegjës i prokurimit në Ibër Lepenc nuk ka zbatuar vendimet e mëparshme të OSHP-së, duke devijuar nga qëllimi dhe përmbajtja e tyre.

Paneli Shqyrtues i OSHP-së, i kryesuar nga Kimete Gashi, ka aprovuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik FutureBITS SH.P.K., duke anuluar vendimin e Autoritetit Kontraktues për anulimin e tenderit dhe duke e kthyer aktivitetin në rivlerësim “Furnizim me pajisje për IT”

Por ajo që e bën këtë rast të veçantë nuk është vetëm kthimi në rivlerësim, por konstatimi i drejtpërdrejtë i moszbatimit të vendimeve të OSHP-së nga ana e zyrtarit të prokurimit, veprim që Paneli e cilëson si shkelje të detyrimeve ligjore dhe procedurale që rrjedhin nga LPP.

“Si rrjedhojë, Paneli Shqyrtues e mbështet rekomandimin e ekspertit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për anulim të aktivitetit dhe lënda të kthehet në ri-vlerësim. Paneli vlerësues sipas vlerësimit të pavarur të tij në kuptim të nenit 105, duke e pasur parasysh kërkesën e nenit 104, paragrafi 1, të Ligjit të cituar sipas të cilit, cituar: “Procedura e shqyrtimit të prokurimit do të zbatohet dhe realizohet në mënyrë të shpejtë, të drejtë dhe pa diskriminim, që ka për qëllim zgjidhjen e drejtë, të ligjshme dhe efektive të lëndës…” si dhe në harmoni me nenin 1, të LPP, sipas të cilit, qëllimi i këtij Ligji është mes tjerash, cituar: “…të siguroj integritetin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publik, nënpunësve civil dhe personave të tjerë që kryejnë ose janë të përfshirë në një aktivitet të prokurimit duke kërkuar që, vendimet e individëve të tillë dhe baza ligjore e faktike për vendimet e tilla, të mos ndikohen nga interesat personale, të karakterizohet me jo-diskriminim dhe me një shkallë të lart të transparencës dhe të jenë në përputhje me kërkesat procedurale dhe qenësore të këtij ligji”. Prandaj Paneli Shqyrtues i bazoi konstatimet e tij në dispozitat relevante të LPP-së, të cilat parashohin dhe rregullojnë situata të tilla, e që mund të paraqiten gjatë një aktiviteti të prokurimit. Në bazë të kompetencave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik, si dhe obligimit të Autoriteteve Kontraktuese dhe zyrtarëve përgjegjës për zbatimin e plotë dhe në kohë të vendimeve të OSHP-së, konstatohet se zyrtari përgjegjës i prokurimit ka dështuar të ndërmarrë veprimet e kërkuara sipas vendimit të lartcekur. Ky mosveprim përbën shkelje të detyrimeve ligjore dhe procedurale që rrjedhin nga Ligji për Prokurimin Publik. Për këtë arsye, shqiptohet Vërejtje zyrtare, duke paralajmëruar se përsëritja e shkeljeve të ngjashme mund të rezultojë në kërkesë per marrjen e licencës që konsiderohet si mase me e rende disiplinore, në pajtim me rregulloret dhe dispozitat ligjore që rregullojnë përgjegjësinë e personelit në prokurimin publik”, thuhet në raportin e Panelit, i cili ka thënë se i ka dhëne të drejt ekspertit të vet.

Sipas raportit të ekspertit shqyrtues Ilir Halili, OSHP kishte nxjerrë më herët një vendim (PSH: 2025/0773), me të cilin lënda ishte kthyer në rivlerësim, duke i hapur rrugë pranimit të dy broshurave teknike të munguar, për dy printerë Ricoh, të cilat nuk ishin ngarkuar fillimisht për shkaqe teknike.

Megjithatë, në vend që ta zbatonte qartë këtë vendim, Autoriteti Kontraktues ka kërkuar sërish “dëshmi apo evidentim” në katalogun fillestar, sikur vendimi i OSHP-së të mos ekzistonte fare. Eksperti e cilëson këtë qasje si devijim nga qëllimi i rivlerësimit dhe si përpjekje për të ruajtur arsyetimin fillestar të eliminimit.

Në raportin e tij, eksperti shqyrtues konstaton se pretendimi i Autoritetit Kontraktues se katalogu shtesë ishte “i papranueshëm” nuk mbështetet në asnjë dispozitë të LPP-së, përderisa bëhet fjalë për të njëjtat produkte dhe nuk ka ndryshim të ofertës.

Sipas ekspertit, e vetmja përgjegjësi e Autoritetit Kontraktues gjatë rivlerësimit ishte të verifikonte nëse produktet e ofruara në katalogun shtesë janë identike me ato të ofertës fillestare gjë që, sipas dokumentacionit, ishte e përmbushur.

Paneli Shqyrtues i OSHP-së shkon edhe më tej, duke konstatuar se zyrtari përgjegjës i prokurimit ka dështuar të ndërmarrë veprimet e kërkuara sipas vendimeve të OSHP-së, duke cenuar integritetin e procedurës së prokurimit publik

Megjithatë, ndonëse Paneli paralajmëron qartë se përsëritja e shkeljeve të tilla mund të rezultojë me kërkesë për marrjen e licencës, në këtë rast konkret ai është mjaftuar vetëm me vërejtje zyrtare, duke e “kursyer” zyrtarin e prokurimit nga masa më e rëndë disiplinore. /Demokracia.com/