Shkelje në tenderin për t’i furnizuar deputetët me laptopë

Kuvendi ka në proces tenderin për t’i pajisur me laptopë deputetët e legjislaturës së re, të cilët prej më shumë se një muaji nuk e kanë përmbyllur seancën konstituive. Kontrata që u është dhënë dy kompanive është anuluar pasi rasti është trajtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por ky institucion ia ka lënë të hapur mundësinë Kuvendit që sërish t’i shpërblejë të njëjtat biznese me kontratë.

Gjykata e Tenderëve ia ka dhënë edhe një mundësi një grupi biznesesh që ta fitojnë tenderin për t’i furnizuar me laptopë 120 deputetët e legjislaturës së re, edhe pse janë shpërblyer me kontratë nga Kuvendi pa i plotësuar specifikat teknike.

Të dy kompanitë e fituan tenderin në vlerë 120 mijë euro, pa treguar brendin dhe performancën e laptopëve me të cilin do të ofertonin.

Kontrata që iu dha “EGS & Pattern” u ankimua në Organin Shqyrtues të Prokurimit nga kompania “ARI-TECH”, që pati ofertën e dytë më të lirë.

Shqetësimin e kompanisë ankuese e konfirmoi raporti i ekspertit në OSHP, në të cilin thuhet se Kuvendi veproi në kundërshtim me Ligjin për Prokurim.

“Specifikacioni teknik i dorëzuar nga GOE së bashku me ofertën e tyre është vetëm kopja e printuar e aneksit 1 të ftesës për ofertim dhe si e tillë nuk është në pajtimin me kërkesat obligative që rrjedhin nga kontrata kornizë, nuk janë të definuara brendi dhe modeli, procesori, RAM memoria, kapaciteti i SSD, bateria dhe kapaciteti i saj e madje as madhësia e ekranit, të gjitha këto tipare themelore për vlerësim të ofertave”, thuhet në raportin e ekspertit.

Pas shqyrtimit të ankesës, Paneli i OSHP-së vendosi që ta anulojë vendimin e Kuvendit për dhënien e kontratës dhe ta kthejë aktivitetin e prokurimit në rivlerësim.

Por, i kërkoi Kuvendit që gjatë rivlerësimit ta aplikojë nenin 72 të Ligjit për Prokurimin Publik, për të kërkuar sqarime shtesë nga grupi i njëjtë i operatorëve, se për çfarë produkti kishin ofertuar.

“Paneli Shqyrtues kërkon nga AK që gjatë rivlerësimit të aplikojë nenin 72 të LPP-së duke kërkuar sqarime se për çfarë produkti bëhet fjalë, kur dihet që pajisjet e IT-së (Teknologjia e informacionit) sikurse ky aktivitet i prokuruar ka evoluime gjatë gjithë kohës, ndërsa marrëveshja në mes të OE-ve pjesëmarrës dhe AK-AQP-së është e nënshkruar në vitin 2024, ku OE i rekomanduar ka vulosur vetëm Aneksin 1 te DT (Ftesës për ofertim) kur fillimisht kanë ofertuar një gjë të tillë është konstatuar edhe në Raportin e ekspertit shqyrtues/teknik, ku eksperti teknik siç e ka konstatuar se duhet të dihet çfarë produkti do t’u liferohet”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

E, në kompaninë ankuese vlerësuan se OSHP-ja ia ka dhënë Kuvendit dritën e gjelbër që ta shkelë ligjin.

“Vlerësojmë se nuk mund të ketë një vendim të OSHP-së, i cili obligon Autoritetet Kontraktuese të shkelin ligjin. OSHP-ja mund të japë vendim për anulim, por jo edhe të influencojë në asnjë mënyrë vendimin e AK-së (Autoritetit Kontraktues) gjatë procesit të rivlerësimit”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Ari-Tech SH.P.K.”.

Edhe hulumtuesi i çështjeve të prokurimit në organizatën “Demokraci Plus”, Ardit Dragusha, vlerëson se oferta që nuk përmban specifikat teknike për mallin e ofruar duhet të refuzohet, pa kërkuar informacione shtesë.

“Në rast se mungon specifikacioni teknik në ofertë, duhet refuzuar oferta pa kërkuar sqarime shtesë. Procesi mund të kthehet në rivlerësim, kur vlerësohen edhe një herë të gjithë operatorët ekonomikë që kanë dorëzuar oferta”, ka thënë Dragusha.

E, në grupin e bizneseve që patën fituar kontratë thanë se pas vendimit të OSHP-së do t’i ndjekin procedurat për ta mbrojtur ofertën dhe integritetin e procesit, raporton koha. 

“Kemi dorëzuar specifikimin teknik të pajisjes së ofertuar, në përputhje të plotë me kërkesat e Autoritetit Kontraktues, si dhe një deklaratë të nënshkruar dhe të vulosur për përmbushjen e të gjitha specifikimeve të kërkuara në dosje. Dorëzimi i katalogut teknik nuk ka qenë kërkesë e detyrueshme sipas dokumenteve të tenderit dhe nuk është përcaktuar si kriter teknik/profesional. Kjo është konfirmuar edhe nga përmbajtja e dosjes së tenderit dhe udhëzuesit përkatës të prokurimit publik. Për më tepër, as Autoriteti Kontraktues nuk ka kërkuar ndonjë sqarim shtesë mbi këtë çështje gjatë fazës së vlerësimit”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “EGS SH.P.K.”.

E në Kuvend nuk janë përgjigjur se pse iu dha kontrata këtyre kompanive, por thanë se rivlerësimi do të bëhet konform ligjit.

“Rivlerësimi do të bëhet në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik”, thuhet në përgjigjen nga Kuvendi.

Në këtë aktivitet të prokurimit janë dorëzuar oferta nga gjithsej 8 operatorë.

E, deputetët që do të furnizohen me laptopë të rinj, prej më shumë se një muaji nuk kanë arritur ta përmbyllin seancën konstituive.