Shkelje në kontrata, tenderë e pagesa – 17 milionë euro të keqpërdorura në Komunën e Prishtinës, VV ngre alarmin për keqmenaxhim

Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës në konferencë për media reagoi pas publikimit në media të gjetjes nga Zyra Kombëtare e Auditorit të dhjetëra shkelje të kryera nga Komuna e Prishtinës në vitin 2024.

Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prishtinës ka specifikuar raste kur ky institucion ka bërë ndryshime në kushte të kontratave pa aprovimet e duhura, nuk ka lidhur kontrata në bazë të procedurave adekuate të prokurimit, ka hyrë në obligime pa mbulesë buxhetore, ka lëshuar leje ndërtimi pas fillimit të procedurave tenderuese e ka paguar miliona euro paradhënie kundërligjshëm.

Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës vlerësoi se raporti tregon se qeverisja e komunës së Prishtinës është skandaloz

“17 milionë euro të keqpërdorura , ky do të duhej të ishte titulli i prezantimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me të gjetura mjaft shqetësuese gjatë keqmenagjimit të komunës së Prishtinës në vitin 2024. Ky raport nuk është vetëm pasqyrë e shifrave dhe e shkeljeve teknike. Është një aktakuzë morale dhe institucionale të një qeverisjeje që ka degraduar standardet minimale të përgjegjësisë publike”, vlerësoi Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

The post Shkelje në kontrata, tenderë e pagesa – 17 milionë euro të keqpërdorura në Komunën e Prishtinës, VV ngre alarmin për keqmenaxhim appeared first on Kosovapost.net.