Shkarkohet kryebashkiaku i Stambollit/ Qeveria e shkarkon pasi u la në burg nga Gjykata

Ministria e brendshme e Turqisë njoftoi se Ekrem Imamoglu është shkarkuar nga detyra si kryebashkiak i Stambollit.

Kjo lëvizje vjen pasi ai u la në burg nga gjykata me akuzat për korrupsion.

Këshilli i qytetit të Stambollit, në të cilin opozita kryesore Partia Popullore Republikane ka shumicën, pritet të zgjedhë një kryebashkiak të ri në ditët në vijim. Dy kryebashkiakë të tjerë në rajon janë shkarkuar gjithashtu.

Në një reagim nga burgu, Imamoglu u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protesta në të gjithë vendin.

Ai deklaroi se procesi ligjor në lidhje me paraburgimin e tij ishte një ekzekutim i plotë jashtëgjyqësor, që përbën tradhti ndaj Turqisë.

Aktakuza mbi bazën e së cilës u Imamoglu u la në burg ka të bëjë vetëm çështjen e korrupsionit. Në të thuhet se kryetari i qytetit më të madh të Turqisë akuzohet se ka marrë më shumë se 15 miliardë euro në shumë mënyra, por kryesisht përmes kompanisë së tij të ndërtimit.

Megjithatë, nuk është bërë një njoftim zyrtar për akuzën e dytë dhe më të rëndë për ligjin turk, atë të bashkëpunimit me organizatat terroriste.

Kjo mund të nënkuptojë se nuk do të ketë ndjekje penale për akuzën se ai ka bashkëpunuar me partinë e kurdëve, e cilësuar organizatë terroriste në vend. Por kjo akuzë mund të mbahet rezervë dhe të përdoret në një moment të dytë në të ardhmen e afërt.

Në kohën kur u bë shpallja e paraburgimit të Imamoglu, Partia Popullore Republikane filloi votimet për kandidatin që do ta përfaqësojë atë në zgjedhjet presidenciale të 2028, me të njëjtin kandidat të vetëm, Ekrem Imamoglu.