Shkaqet kryesore të përhapjes së gripit sezonal: Mbi 260 raste në Kosovë

Gripi sezonal ka kapluar Kosovën, duke shënuar kështu një rritje të konsiderueshme të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Lodhje, ethe e dhimbje të trupit janë vetëm disa nga simptomat e këtij gripi, që i përmendi specialisti i shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Faik Hoti.

Ai në një bisedë me Albanian Post, tregoi se gripi është një sëmundje akute e rrugëve të frymëmarrjes që manifestohet me rritje të rasteve në mënyrë tipike sezonale, dhe zakonisht, siç tha ai, “kulmin e arrin në janar deri në muajin shkurt”.

“Simptomat kryesore janë kollitja, teshtitja, dhimbje fyti, ethe, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, ndjenjë rraskapitjeje, etj. Gripi, gjithashtu, karakterizohet nga prania e temperaturës së lartë me fillim të menjëhershëm që zgjat 3-4 ditë (38-40°C)”, deklaron Hoti për AP.

Sipas Hotit, faktori që ndikon në përhapjen e gripit sezonal është e ndërlidhur me stinën e dimrit.

“Faktorët që ndikojnë në përhapje janë të lidhur me sezonin dimëror, që është karakteristikë për shfaqjen dhe përhapjen e gripit”.

Ndërsa vaksinimi me kohë, sipas Hotit, është mënyra më efikase e parandalimit të gripit sezonal.

“Mënyra më e mirë e parandalimit është vaksinimi me kohë, i grupeve që janë më të predispozuara për t’u prekur nga gripi si personat mbi 65 vjet, personat me sëmundje kronike (shoqërues), profesionistët shëndetësor, gratë shtatzëna dhe fëmijët”, potencoi ai.

Specialisti i shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Faik Hoti

Specialisti i IKSHP-së, për këtë situatë tha se ka pasur rritje të pacientëve që kanë kërkuar shërbime mjekësore, derisa përmendi dhe sigurimin e dozave të vaksinimit.

“Në institucione shëndetësore ka raportime për fluks të rritur të pacientëve që kërkojnë shërbime për shkak të infeksioneve të ngjashme me Gripin (ILI), infeksioneve akute të rrugëve respiratore (ARI), infeksioneve të rënda akute respiratore (SARI) dhe rasteve të gripit, që deri tash janë konfirmuar mbi 262”.

Për t’u ballafaquar me lehtë më gripin sezonal, institucionet kanë siguruar doza të vaksinave.

“Këtë vit janë siguruar 85 mijë doza të vaksinës dhe rreth 65 mijë qytetarë janë vaksinuar, derisa ka ende doza të cilat mund t’i shfrytëzojnë ata që ndihen më të rrezikuar, pa dallim moshe, me që sezoni i gripit zgjat deri në fund të prillit”, pohoi Hoti.

Ngjashëm edhe specialisti i mjekësisë familjare, Rushit Ismajli, theksoi se ka pasur numër të shtuar të pacientëve për shkak të kësaj situate, siç e quan ai, “të infeksioneve virale”.

“Ne këto ditë kemi pasur numër të shtuar të pacientëve për shkak të një situate të infeksioneve virale të rrugëve të frymëmarrjes si kollitje, teshtitje, shkuarje të hundës, temperaturë, dhimbje trupi, plogështi, pra jemi duke folur për një grip viroz apo viral”, tha ai në një përgjigje për AP.

Në vlerësimin e Ismajlit situata me gripin sezonal nuk duhet të shihet si diçka “dramatike” dhe as si një situatë ku duhet “brengosur”.

Specialisti i mjekësisë familjare, Rushit Ismajli

Ismajli për trajtimin e këtij gripi sezonal, ka edhe disa rekomandime.

“Krejt çka ju rekomandojmë pacientëve është të qëndrojnë në shtëpi, të pinë sasi të mjaftueshme të lëngjeve është fjala për lëngje pa sheqer, qaj apo supë dhe në rast të temperaturës shumë të lartë të marrin paracetamol”.

Specialisti i mjekësisë familjare tha se shumicën e rasteve sipas tij, kjo situatë kalon vetvetiu.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), duke i bërë thirrje qytetarëve për vaksinim kundër gripit sezonal dhe zbatim të masave të tjera parandaluese.

Përveç vaksinimit, IKSHPK ka rekomanduar mbajtjen e higjienës personale, evitimin e kontakteve të afërt me individë të sëmurë e ushqim të shëndetshëm me shumë vitamina, si masa për të parandaluar infektimin nga gripi sezonal.

Të enjten, IKSHPK-ja ka njoftuar se Kosova e ka tejkaluar pragun epidemik të gripit sezonal.