Shihet si zëvendësuesi ideal i yllit që do shkojë tek Atletico, ofertë nga Spanja për Asllanin

Mesfushori amerikan i Betis, Johnny Cardoso, me shumë mundësi do transferohet tek Atletico Madrid këtë merkato. 23-vjeçari ishte një lojtar kyç për skuadrën andaluziane sezonin e kaluar si në La Liga ashtu edhe në rrugën e tyre drejt finales së Ligës së Konferencës së Evropës, ku u mposhtën nga Chelsea.

Duke parë moshën e tij të re dhe formën e treguar sezonin e fundit, Atletico Madrid thuhet se është në prag të një marrëveshjeje për të transferuar mesfushorin amerikan.

Pikërisht për këtë arsye, Betis ka hedhur sytë nga Kristjan Asllani, duke e parë atë si zëvendësuesin ideal të amerikanit, sipas asaj që raporton spanjollja “AS”. Drejtuesit e klubit andaluzian besojnë se Asllani është profili i duhur që ata kërkojnë për mesfushën dhe shqiptari nën drejtimin e një trajneri veteran me shumë përvojë si Manuel Pellegrini mund të bëjë hapa para në karrierë.

Sipas raportimit në fjalë, Betis ofron 8-10 milionë euro, ndërkohë që Inter e vlerëson rreth 14 milionë euro mesfushorin kuqezi. Ditët në vijim mund të ketë negociata zyrtare mes dy klubeve./Telesport.al