Propaganda për mirëqenie bie përballë realitetit të xhepave të qytetarëve. Në Kosovën e vitit 2025, çdo muaj rritet borxhi, por jo standardi i jetesës. Të dhënat e BQK-së tregojnë se qytetarët janë “të mbytur” në kredi që tashmë kanë kaluar 6.5 miliardë euro.
Qytetarët e Kosovës po e mbyllin vitin 2025 “të mbytur” në kredi, përkundër deklarimeve optimiste të Qeverisë për rritje ekonomike dhe mirëqenie.
Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) tregojnë qartë se barra financiare e qytetarëve po rëndohet çdo muaj e më shumë.
Sipas statistikave zyrtare, kreditë bruto në fund të nëntorit 2025 kanë arritur në 6.55 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 54.49 milionë euro ose 0.84% krahasuar me muajin paraprak, shkruan Demokracia.com
Vetëm gjatë këtij muaji, bankat kanë dhënë 203.75 milionë euro kredi të reja, çka tregon për rritje të ndjeshme të huamarrjes nga qytetarët dhe bizneset.
‘’Kreditë bruto – në fund të muajit nëntor 2025 kanë arritur vlerën në 6.55 miliardë euro, duke shënuar rritje prej rreth 54.49 milionë euro ose 0.84% krahasuar me muajin paraprak, kurse vlera e kredive të reja – në muajin nëntor 2025 ishte 203.75 milionë euro’’, njofton BQK.
Në të njëjtën kohë, asetet e bankave komerciale kanë arritur në 9.22 miliardë euro, me një ulje prej 1.23% krahasuar me tetorin, ndërsa kapitali i përgjithshëm i bankave ka qenë 1.12 miliardë euro.

Provizionet për kredi – paratë që bankat ndajnë për borxhet e rrezikuara – janë rritur me 1.6%, duke arritur në 153.69 milionë euro.
Sipas BQK-s, norma mesatare e interesit në kredi të reja, në muajin nëntor 2025 ishte 6.69%.
‘’Depozitat e klientëve – në nëntor 2025 kanë arritur vlerën prej 7.39 miliardë euro, duke shënuar rritje prej rreth 33.00 milionë euro, ose një rritje prej 0.45% krahasuar me muajin paraprak, kurse vlera e depozitave të reja – në muajin nëntor 2025 ishte 79.62 milionë euro”.
Edhe pse kredia po rritet, kursimet e qytetarëve nuk po ndjekin të njëjtin ritëm.
Norma mesatare e interesit në depozita të reja – në muajin nëntor 2025 ishte 3.08%, kurse margjina e normës së interesit – në kredi dhe depozita në muajin nëntor 2025 ishte 3.61%, ndërsa raporti kredi-depozita – në muajin nëntor 2025 ishte në nivelin 88.71%.
‘’Gjithsej kapitali i bankave komerciale – në fund të muajit nëntor 2025 arriti vlerën në 1.12 miliardë euro. Ndërsa, provizionet për kredi kanë shënuar rritje prej rreth 1.60% krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën 153.69 milionë euro’’, njofton Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.
Kjo do të thotë se margjina e fitimit për bankat, e njohur si margjina e normës së interesit, ishte 3.61%, ndërsa raporti kredi–depozita arriti në 88.71% – një tregues se pjesa dërrmuese e depozitave është kthyer në kredi.
Në praktikë, kjo do të thotë se qytetarët po jetojnë gjithnjë e më shumë me borxh, teksa shifrat zyrtare të BQK-së flasin për një ekonomi që vështirë po e përballon rritjen e kostove të jetesës dhe inflacionin e vazhdueshëm./Demokracia.com/.














