Katër persona kanë vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, në tri raste të ndara, në tri ditët e fundit në Kosovë.
Më 23 mars, në Vushtrri vdiq një 19-vjeçar në Vushtrri. Dorasi dyshohet të jetë një bashkëmoshatar i tij. Ai është në paraburgim dhe e ka pranuar fajësinë.
Një ditë më pas, në Vushtrri ndodhi një vrasje e dyfishtë. Një burrë dyshohet se vrau një grua dhe më pas i dha fund jetës së vet. Ky rast ndodhi në fshatin Stanoc.
Pa kaluar mirë disa orë nga tragjedia, mbrëmë një person rreth të 60-ave vdiq në Prishtinë pas plagëve të marra nga të shtënat që ndodhën në rrugën “Rrustem Hyseni”.
I dyshuari është ende në arrati, sipas njoftimeve zyrtare të deritashme. Në këtë rast u plagos edhe një person tjetër, që sipas mjekëve, është në gjendje stabile.