Një rrëfim i sinqertë, emocional dhe plot kujtime nga një prej ikonave absolute të futbollit europian. Andriy Shevchenko kthehet pas në kohë dhe flet për urinë e suksesit, Milanin që e bëri të madh, premtimin profetik të Braida-s, largimin e vështirë drejt Chelsea dhe një filozofi jete pa pendesa: “Kisha uri. Jo për para, sepse në fund të fundit nuk jetonim keq, por për sukses. Doja të kisha sukses në atë që doja të bëja.
Herën e parë që firmosa me Milanin, kontrata ime e parë e vërtetë, refuzova të shikoja shumën që ishte shkruar. Arrita te Milani falë Ariedo Braida-s. Ai pa diçka tek unë, që as vetë nuk e dija se e kisha.
Kur solli Gallianin në Ukrainë për të më parë, luajta një ndeshje të tmerrshme, por ai më mbrojti. Dhe kur erdhi në shtëpinë time për të më bindur të firmosja, më dhuroi një fanellë kuqezi me emrin tim. Me këtë do ta fitosh ‘Topin e Artë’, më tha. Unë dhe babai im qeshëm, ai kishte të drejtë.
Galliani dhe Berlusconi u përpoqën të më mbanin në çdo mënyrë. Milani ishte shtëpia ime, edhe sot ndiej një lidhje shumë të fortë me qytetin, edhe pse jetoj larg. Sidoqoftë, unë kisha zgjedhur, prej tri vitesh Roman Abramovich më kërkonte me ngulm.
Isha 30 vjeç, ishte momenti i duhur për një përvojë të re. E humba revanshin me Liverpool-in. Te Chelsea nuk shkoi mirë, pata shumë probleme fizike, por nuk ishte i gabuar si transferim. Kur merr një vendim, mos e ndrysho. Gjithë jetën kam vepruar kështu dhe nuk më ka shkuar edhe aq keq”.
The post Shevchenko rrëfen jetën, Milanin dhe zgjedhjet pa pendesa: Kisha shumë uri… Jo për para, por sukses appeared first on Telesport.













