Shërbyesit civilë të pakënaqur me pagat, paralajmërojnë greva

Pagat e shkurtit kanë shtuar pakënaqësitë tek punëtorët e sektorit publik.

Ligji i ri për Pagat po konsiderohet i pamatur.

Nga Sindikata e Shërbyesve Civilë për Front Online kanë thënë se Qeveria po i frynë zjarrit me vendimet e saj.

“Realisht pakënaqësia po shkon duke u rritur, zjarrit është duke i fryrë qeveria me këto vendime të veta të pamatura, për faktin se mungesa e dialogut social që ne e kemi kërkuar në vazhdimësi ta kemi me qeverinë sjell deri në këtë situatë”, thonë nga kjo sindikatë.

Bojkotim të punës po kërkohet në sindikatën e Shërbyesve Civilë.

Kështu thotë Mursel Zymberi.

“Ka mundësi me ndodhë edhe në sektorë të tjerë, që mua më kanë thënë, më kanë lutur sidomos punëtorët social të gjithë niveleve të vendit që të shkohet me një organizim të bllokimit të sistemit”, tha ai.

Ai thotë se më parë do ta lëshojnë punën, se sa të punojnë me paga të tilla.

“Të paguhen me 390 euro atëherë më mirë e lëshojnë krejt punën, kjo ka me ndodhë në shumë sektorë. Dy lëvizje brenda këtyre tri ditëve kanë ndodhë në nivelet lokale që nuk dëshirojnë me qëndru, e lëshojnë punën, ka me ndodhë edhe kanë me lëshu edhe shumë të tjerë”, thotë ai për Front Online.

Pagat për muajin shkurt në sektorin publik kanë dalë sipas vlerës së koeficientit të përcaktuar me Ligjin për buxhetin e këtij viti.

Më 9 shkurt në Kuvendin e Kosovës është miratuar në lexim të dytë Ligjin mbi ndarjet buxhetore ku edhe është përcaktuar vlera e koeficientit prej 105 eurove.

Related Posts