Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK), që funksionon në kuadër të Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës (FBNSK), është pranuar zyrtarisht si anëtar i plotë i kategorisë “A” në Komisionin Ndërkombëtar për Shpëtim Alpin (ICAR – International Commission for Alpine Rescue).
Ky pranim u bë gjatë Kongresit të 76-të të ICAR-it, që u mbajt nga data 7 deri më 12 tetor në Jackson Hole, Ëyoming, SHBA, me nikoqir “Teton County Search and Rescue”.
“Kjo arritje është rezultat i punës dhe përkushtimit shumëvjeçar të ShkShMK-së, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ngritjes së standardeve të sigurisë malore në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
ICAR është organizata më e rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shpëtimit alpin, e themeluar në vitin 1948, e cila bashkon ekipet më të avancuara të kërkim-shpëtimit malor nga e gjithë bota. Ajo synon rritjen e sigurisë në male, përmirësimin e trajnimeve dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Përfaqësuesit e Kosovës morën pjesë në këtë kongres ndërkombëtar dhe me vendim unanim janë pranuar si anëtarë të plotë të ICAR-it, një njohje që vlerësohet si arritje historike për sistemin e kërkim-shpëtimit malor në vend.