Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, sonte është mbajtur një ceremoni komemorative në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.
Kjo ditë u shënua në mesin e diplomatëve të huaj, përfaqësuesve institucional dhe atyre të shoqërisë civile.
Në kujtim të gjashtë milionë hebrenjve të vrarë në Holokaust, janë ndezur gjashtë qirinj, raporton KosovaPress.
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv tha se urrejtja e hebrenjve po vazhdon edhe sot, për çka shtoi se çdo ditë raportohen sulme fizike dhe gjuhë e urrejtjes.
“Holokausti ishte mohimi përfundimtar i të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. Ai buronte nga një ideologji antisemitike që ua hoqi njerëzve të drejtat, i çnjerëzoi ata dhe shpalli se disa raca janë johumane dhe për këtë arsye të rrezikshme për shoqërinë dhe duhet të eliminohen. Antisemitizmi, urrejtja ndaj hebrenjve, nuk përfundoi me Holokaustin 81 vjet më parë. Ai është shndërruar në retorikë të mohimit të Holokaustit, në sulme fizike kundër hebrenjve dhe komuniteteve hebreje në mbarë botën, si dhe në thirrje për shkatërrimin e Shtetit të Izraelit. Antisemitizmi po rritet me ritme alarmante dhe po përhapet në shoqëri, vende dhe kontinente, si dhe përtej ndarjeve ideologjike politike. Komunitetet hebreje në dhjetëra vende raportojnë çdo ditë incidente, përfshirë kërcënime, sulme fizike, vandalizëm dhe gjuhë urrejtjeje në hapësirat publike dhe në rrjetet sociale, si dhe dhunë vdekjeprurëse. Hebrenjtë po shënjestrohen sërish vetëm sepse janë hebrenj. Sinagogat, komunitetet hebreje dhe qendrat komunitare hebreje kanë nevojë për mbrojtje. Hebrenjtë fshehin simbolet e tyre të jashtme për të mos u identifikuar si hebrenj dhe për të mos u kërcënuar, ndërsa studentët hebrenj ndihen të pasigurt në kampuse”, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se, “është e paimagjinueshme që në vitin 2026 hebrenjtë në gjithë botën jetojnë në gjendje frike”.
“Vala më e madhe e antisemitizmit që nga Lufta e Dytë Botërore pasoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Statistikat e incidenteve antisemitike janë tronditëse. Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2023, pas sulmit të 7 tetorit, u dokumentuan mbi 1,700 incidente antisemitike. Në vitin 2024, ky numër u dyfishua në më shumë se 6,300 incidente, dhe viti 2025 shënoi një rritje të mëtejshme. Që nga 7 tetori, mbi 13,000 incidente antisemitike kanë ndodhur në mbarë botën, përfshirë sulme vdekjeprurëse në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Evropë dhe Australi, në të cilat më shumë se 20 hebrenj u vranë vetëm sepse ishin hebrenj. Sulmi i fundit i tmerrshëm ndodhi në dhjetor në Bondi Beach në Australi, kur një turmë prej mijëra personash u mblodh për të festuar natën e parë të Hanukës, Festës Hebreje të Dritës. Ajo që duhej të ishte një rast gëzimi dhe bashkimi u shndërrua në një moment pikëllimi dhe terrori, kur dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj turmës, duke vrarë 15 persona të pafajshëm, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar dhe një të mbijetuar të moshuar të Holokaustit, si dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë”, theksoi ajo.
Në këtë ceremoni komemorative, presidentja Vjosa Osmani tha se Holakausti ishte sulm kundër njerëzimit.
“Sonte jemi mbledhur për të përkujtuar dhe për të nderuar gjashtë milionë gra, burra dhe fëmijë hebrenj që u vranë sistematikisht gjatë Holokaustit, si dhe miliona viktima të tjera të pafajshme që u shënjestruan nga regjimi nazist. Holokausti nuk ishte thjesht një sulm kundër një populli. Ishte një sulm kundër vetë njerëzimit. Këtë kohë vitin e kaluar, së bashku me liderë të tjerë nga e gjithë bota, qëndrova në Auschëitz-Birkenau. Mes mbetjeve të një mizorie të paimagjinueshme, një mesazh jehonte me forcë të veçantë: e kaluara jonë nuk duhet të bëhet kurrë e ardhmja e fëmijëve tanë. Ky është një mesazh që duhet të udhëheqë ndërgjegjen tonë, zgjedhjet tona dhe veprimet tona. Në Auschëitz, kujtuam miliona fëmijë, gra dhe burra të pafajshëm që u bënë viktima të një urrejtjeje aq të thellë sa synonte të fshinte vetë ekzistencën e tyre”, tha ajo.
E para e vendit, Vjosa Osmani theksoi se Kosova e ka përjetuar spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit.
“Kosova është një vend që e ka kuptuar në mënyrë shumë personale se çfarë do të thotë të vuash nga përndjekja, spastrimi etnik, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, si dhe gjenocidi. Kjo përvojë e jetuar formëson atë që jemi sot. Prandaj Kosova qëndron fuqishëm dhe pa asnjë mëdyshje kundër antisemitizmit, kundër racizmit dhe kundër çdo forme urrejtjeje”, shtoi Osmani.
Përkujtimi i kësaj dite, Osmani shtoi se është përgjegjësi, teksa theksoi se “Kosova e ka shndërruar këtë parim në veprim konkret”.
Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph tha se kujtimi i Auschwitz-it është përgjegjësi historike.
“Në këtë ditë, 81 vjet më parë, përmasat e krimeve naziste dolën në dritë kur ushtarët sovjetikë çliruan 7,000 të mbijetuar të kequshqyer rëndë, të sëmurë seriozisht dhe thellësisht të traumatizuar nga kampi më i madh nazist i shfarosjes. Si asnjë vend tjetër, Auschwitz qëndron si simbol i tmerreve, vrasjes së pamëshirshme të miliona burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm, kryesisht hebrenj, të përndjekur në mënyrë metodike dhe të vrarë sistematikisht nga nazistët. Unë e vizitova për herë të parë memorialin e Auschwitz-it si nxënës 17-vjeçar dhe imazhi që më është ngulitur në kujtesë është ai i shiritit të vetëm të hekurudhës që përfundon aty, sepse, për ata që u deportuan atje, nuk kishte as udhëtim përpara dhe as kthim mbrapa. Për Gjermaninë, kujtimi dhe përkujtimi i Shoah-ut është një përgjegjësi historike e përhershme dhe një detyrë morale. Ne nuk do t’i harrojmë kurrë krimet e paprecedenta të kryera në emër të gjermanëve dhe nga gjermanët, as vuajtjet e pamatshme që iu shkaktuan viktimave”, përfundoi ai.
Rron Hoxha ka mbajtur fjalimin në emër te gjyshes së tij, Igballe Mullashabani Hoxha, familjes që gjatë Luftës së Dytë Botërore strehoi hebrenj në shtëpinë e tij në Gjakovë.
“Ajo [gjyshja] e kujton atë kohë si një periudhë të ftohtë, dimër ose fillim pranvere – një ftohtësi jo vetëm e motit, por e një epoke në të cilën frika dhe rreziku ishin pjesë e jetës së përditshme. Në shtëpinë e familjes së saj në Gjakovë, u strehuan disa hebrenj: një çift i martuar, burrë e grua, dhe një djalë i ri që ishte i afërm i tyre. Ata qëndruan të fshehur për rreth pesë muaj në një dhomë në katin e dytë të shtëpisë. Gjatë ditës nuk dilnin fare nga shtëpia dhe vetëm natën, kur ishin të pranishëm vetëm anëtarët e familjes, mund të dilnin në oborr dhe të ecnin, gjithmonë me frikën se mos i shihte dikush”, përfundoi ai.
Më 27 janar, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, përkujtohen viktimat e Holokaustit.
Kjo datë përkon me çlirimin të kampit nazist të përqendrimit Auschëitz-Birkenau më 27 janar 1945.










