Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është kritikuar për vendimin për përdorimin e ngjyrës matrikuluese për shënjimin e votuesve. Pavarësisht kritikave, KQZ ka vazhduar të sajën. Në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën të dielën në Kosovë, të gjithë personat që kanë votuar janë shënjuar me një ngjyrë të zezë në njërin nga gishtërinjtë. Agjencia për Informim dhe Privatësi thotë se nuk ka pranuar asnjë kërkesë lidhur me këtë çështje.
Të dielën në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet të cilat do të përcaktojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Që nga ora 07:00 deri në 19:00 në të gjitha qendrat e votimit kanë votuar afër 800 mijë persona, të cilët janë shënjuar me ngjyrë matrikuluese.
Ky vendim i KQZ’së është kritikuar, përfshirë edhe nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke u cilësuar si një hap që e kthen Kosovën mbrapa në demokraci dhe që e cenon privatësinë e qytetarëve.
Pavarësisht kësaj, KQZ nuk është tërhequr nga ky vendim.
Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi në një përgjigje për Gazetën Express thonë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga qytetarët në lidhje me shkeljen e të dhënave personale gjatë procesit të votimit.
“Në raport me përdorimin e ngjyrës matrikuluese, Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk ka pranuar ankesa nga ana e qytetarëve në lidhje me shkeljen e të dhënave personale gjatë procesit të votimit.”
AIP shton se të gjitha ankesat që do të dërgohen në adresë të tyre do të trajtohen në harmoni me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Të gjitha ankesat e adresuara në Agjenci do të trajtohen në harmoni me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDhP)”, thuhet në përgjigje.
“Ngjyra matrikuluese po fshihet lehtë”
Gjatë ditës së zgjedhjeve pati shumë reagime që ngjyra e cila supozohet të qëndrojë në lëkurë për rreth 72 orë, po fshihet shumë lehtë.
Një nga këto reagime ishte nga Albert Krasniqi i Demokracia Plus. Ai tha se ngjyra shënjuese po fshihet lehtësisht e që sipas tij e rritë rrezikun për votim të dyfishtë.
“Shenjimi i gishtërinjve me ngjyrë dalluese po fshihet lehtësisht, duke rritur rrezikun e votimit të dyfishtë. Kjo përbën një hap prapa krahasuar me praktikën e mëparshme të përdorimit të ngjyrës së padukshme, pasi qytetarët mund të bien pre e presioneve për të votuar ose për të mos votuar”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërsa nga Demokracia në Veprim kanë thënë se procesi i tenderimit për këtë material u shoqërua me vonesa dhe probleme cilësore, “të cilat rezultuan me raportime për fshirje të lehtë të saj nga gishtat e votuesve”.
“Një nga sfidat teknike kryesore të këtyre zgjedhjeve ishte çështja e ngjyrës matrikuluese. Procesi i tenderimit për këtë material u shoqërua me vonesa dhe probleme cilësore, të cilat rezultuan me raportime për fshirje të lehtë të saj nga gishtat e votuesve. Për më tepër, vetë përdorimi i matrikulimit si metodë për shënimin e votuesve u kritikua nga organizatat e shoqërisë civile dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi, të cilat e konsideruan atë si shkelje të fshehtësisë së votës”.
Çka thonë rezultatet e deritanishme?
Deri më tani janë numëruar votat në 99.17 për qind të vendvotimeve. Rezultatet preliminare e vendosin Lëvizjen Vetëvendosje të parën me 40.83 për qind, më pas vjen PDK me 22.15 për qind, LDK 17.59 dhe AAK-Nisma 7.47 për qind.
Këto rezultate tregojnë një rënie të VV’së për 10 për qind dhe rritje të ndjeshme të PDK’së e LDK’së.
Akoma nuk janë procesuar votat e 21 vendvotimeve, pasi sipas zëdhënësit të KQZ’së, Valmir Elezi, pas numërimit të votave materiali zgjedhor përfshirë formularët e rezultateve janë vendosur brenda kutive e jo mbi to, siç parashihet me procedurë.
“Ju njoftoj se arsyeja pse ende nuk janë publikuar rezultatet preliminare për subjektet politike nga 21 vendvotime apo 0.83% e tyre është se pas numërimit të votave të subjekteve politike, materiali zgjedhor, përfshirë edhe formularët e rezultateve, janë vendosur brenda kutive të votimit dhe jo mbi to, siç e parashihet me procedurë. Andaj, të dhënat nga këto vendvotime nuk mund të përditësohen tani, pasi hapja e kutive të votimit nuk mund të bëhet në këtë fazë, por vetëm kur të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.”
Në rezultate preliminare nuk llogariten votat me kusht, të diasporës dhe të personave me aftës të kufizuara. /GazetaExpress/